Ilir Meta dhe Sali Berisha i kanë vënë nofkën “Haki droga” dhe ndoshta po numëron ditët e fundit në krye të policisë së shtetit. Skandalet që kanë shoqëruar uniformat blu gjatë qëndrimit të tij në krye policisë së shtetit kanë dobësuar ndjeshëm pozitat e burrit babaxhan që qëndron në krye të tyre, por Haki Çako ka ende mbështetje lart në qeveri dhe kjo jo pa arsye.
Duket se 50-vjeçari ka ditur të shërbejë duke mos e njohur fjalën “JO” ndaj atyre që ka mbi krye. Paraardhësi i tij, Artan Didi, dha dorëheqjen i akuzuar për fshehjen e një urdhër- arresti të lëshuar nga Belgjika për deputetin e mazhorancës Mark Frroku. A veproi ai “me kokën e tij” apo u bë “kokë turku” për të mbrojtur shefat e tij, kjo nuk u zbulua asnjëherë, por nisja e hetimeve nga prokuroria bëri që Didi të thotë “mjaft” dhe të largohet.
Karrigen e “kryepolicit” e zuri zëvendësi i tij, Haki Çako. Një vit më pas, edhe ndaj tij do të kishte një hetim nga prokuroria për skandalin e përgjimeve, por Çako nuk ndoqi shembullin e Didit. Megjithëse i pezulluar, vendin e tij nuk e mori askush. Më pas erdhi mbjellja e të gjithë vendit me kanabis, por Çako doli i papërlyer. Zbulohet implikimi dhe nis arrestimi i zyrtarëve të lartë të policisë të vendosur me firmën e tij, por Çako nuk lëkundet. Akuzohet publikisht nga opozita për afera në policinë e shtetit, por sërish ai qëndron. Rrëzohet gjysma e qeverisë dhe lëshojnë zyrat gjysma e drejtorëve të rëndësishëm të administratës pas marrëveshjes së 18 majit, por Çako nuk preket. Pyetja që bëjnë të gjithë është: “Nga buron paprekshmëria e Haki Çakos?
Ngjitja në “kupolën” e policisë
Lushnjari, Haki Çako përfundoi shkollën 2-vjeçare të policisë në vitin 1988. Më pas kreu Akademinë e Policisë në vitet 1991- 1996. Dy vjet më pas emërohet shef i Policisë Kriminale në Komisariatin e Policisë së Kuçovës ku qëndroi vetëm 8 muaj pasi në shtator të ‘98-ës vjen si shef i Policisë Kriminale të Komisariatit numër 1, në Tiranë. Më pas u emërua inspektor kundër akteve Terroriste dhe në vitin 2003 mbajti detyrën e specialistit në Zyrën e Luftës kundër Drogave të Forta dhe më pas shef i Komisariatit të Policisë Vlorë. Në vitin 2006 u emërua specialist i Antiterrorit në Elbasan, për t’u larguar më pas me dëshirën e tij për të qëndruar 4 vjet jashtë policisë së shtetit.
U rikthye në vitin 2010 dhe me ardhjen e PS në pushtet, në 2013-ën, nis ngjitja e tij fortë në karrierë. Pas disa vitesh si specialist, në tetor 2013 deri në shtator 2014 qëndroi si drejtor i policisë së Gjirokastrës. Më pas shkon zv.drejtor i Përgjithshëm për Krimin e Organizuar dhe Krimet e Rënda, detyrë që e mbajti deri në 31 mars të 2014 kur mori zyrën e lënë bosh nga shefi i tij i dorëhequr, Artan Didi.
I njihet si sukses operacioni për ndërhyrjen në Lazarat në qershor të 2014-ës, megjithëse edhe ky pati dritë- hijet e tij. Aty nuk u gjet asnjë nga “kokat” e mëdha të trafikut të drogës, të cilëve, siç pëshpëritet, iu la një rrugë e lirë në këmbim të marrjes së fshatit pas 3 ditësh rrethimi. Disa nga të arrestuarit kanë tërhequr dëshmitë e dhëna në kohën e arrestimit pasi para gjykatës kanë rrëfyer se në komisariatin e Gjirokastrës u dhunuan për të pranuar akuzat.
Skandali i përgjimeve
Gjithçka nisi në qershor të 2016-ës. Një grup oficerësh të policisë gjyqësore ia behën në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit duke kërkuar të sekuestrojnë një pajisje të dyshuar se ka kryer përgjime të paligjshme. Ata u sollën rrotull nga zyrtarët e policisë ndërsa makina me pajisjen IMSI-Catcher dilte në heshtje nga një derë tjetër. Të larguar me duart bosh, oficerët e policisë gjyqësore dhe prokurorët morën me vete disa kompjutera. Për atë pajisje të futur në mënyrë të paligjshme në vend u tha se nuk mund të bënte përgjime, por mund të identifikonte numra.
Pak ditë më pas u firmosën urdhër- arrestet për një drejtor dhe një specialist. Gjykata e Tiranës vendosi pezullimin nga detyra të kreut të Policisë së Shtetit, por menjëherë nisi vala e mbrojtjes së tij. Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, dilte tre herë në ditë në TV për të sulmuar gjykatësit. Hakiu qëndroi dhe për shkak të mbështetjes së fortë politike të qeverisë ia doli “pa lagur”.
Kanabizimi i vendit
Nuk dihet çfarë ka menduar Haki Çako kur zbriti nga makina e tij në sheshin në qendër të Lazaratit në qershor të 2014-ës. Ajo që do të ndodhte 2 vjet më pas me siguri e tejkalonte çdo imagjinatë. Nga Saranda në Dukagjin. Nga Kolonja në Përmet. Nga Fushë- Kruja në Vlorë. Nga Tepelena në Malësi të Madhe. Kudo parcela me kanabis. U mboll edhe fare pranë Tiranës si në Dajt, Rinas, Pezë, etj. Ngritja e një helikopteri të ministrisë së Mbrojtjes me gazetarë nxori zbuluar parcelat fare pranë Tiranës. U mboll në sera, në kopshte, u hapën toka të reja. Mediat hapeshin çdo ditë me tituj mbi kanabisin. Reportazhet e agjencive prestigjioze ndiqnin njëra- tjetrën me tituj njëri më bombastik se tjetri për parcelat me kanabis. Qeveria bënte vetëm show ndërsa mohonte atë që shihnin të gjithë.
Më pas nisën vrasjet për shkak të konflikteve nga ky aktivitet. Disa u tentuan të manipulohen si ajo në Shëngjergj. Numërohen të paktën 10 viktima nga përplasjet për trafikun e drogës. Droga e vetme që kapej ishte ajo e operacioneve të iniciuara nga SHISH dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda. Zyrtarë të policisë nisën të përfliten si të përfshirë. Edhe kur nisën arrestimet e tyre, Haki Çako sërish qëndroi.
Vrasjet e pazbardhura
Gjatë 3 viteve e 7 muajve të Haki Çakos në detyrë kanë ndodhur një sërë ngjarjesh të rënda. Në 25 qershor 2015 në Lazarat u vra një efektiv i forcave RENEA. Nuk munguan akuzat për mangësitë në detajimin e operacionit. Përplasjet mes grupeve kriminale kanë shënuar një sërë viktimash në Elbasan, Durrës, Fier dhe Vlorë. Akuza ka pasur edhe për përkrahje policore të të tjera grupeve të rrezikshme në Tiranë, Lushnje, Durrës, etj.
Marrëveshja e 18 majit dhe zgjedhjet
“Kërko kë drejtor të duash, por Haki Çako nuk preket”. Kjo mësohet se ka qenë pak a shumë ajo që ka thënë kryeministri Edi Rama natën e 18 majit në takimin kokë më kokë me Lulzim Bashën. Ikën drejtorë që nuk kishin asnjë lidhje me zgjedhjet si ai OSHEE apo ALUIZNI, por kreu i policisë qëndroi. Iku ministri i Brendshëm, por vartësi i tij “numër 1” sërish qëndroi. Pak kohë para zgjedhjeve edhe LSI e Ilir Metës, aleate me PS në qeveri, kishte nisur sulmin ndaj kryepolicit.
Epiteti “Haki droga” mban autorësinë e atij që sot gjendet President i Republikës. Kryeministri Rama nuk kishte ndërmend të plotësonte këtë dëshirë të aleatit të tij, madje e mbrojti atë deri në fund. Edhe ardhja e Fatmir Xhafës në krye të ministrisë së Brendshme nuk e lëkundi atë. Xhafaj largoi të gjithë drejtorët e qarqeve, por jo kreun e tyre. Xhafaj bëri përgjegjëse policinë për kanabizimin e vendit, por jo kreun e saj.
Çështja “Tahiri” dhe policët në arrati
U besua se ishte çështja “Tahiri- Habilaj”, pika që derdhi gotën për Haki Çakon, por shumë u zhgënjyen. Zërat brenda godinës pranë Lanës në Tiranë thanë se ai e firmosi dorëheqjen, por nuk dihet se çfarë lëvizi në 48 orët e furtunës, nga publikimi i dosjes së prokurorisë së Katanias deri tek bllokimi i arrestimit të Saimir Tahirit.
Arrestimet e drejtuesve të lartë të policisë kanë vënë edhe një herë në shënjestër 50-vjeçarin. Nëse kërkon nën zë në polici të të japin një profil të Haki Çakos, ata që e njohin nga afër thonë me buzëqeshje: “Nuk dimë të ketë “kapur” gjë vetë, por është më i miri për të mbrojtur atë që “ka” shefi i tij”. Kjo mesa duket e ka bërë “të paprekshëm”. Sa do të zgjasë? E sigurt derisa të mos ia kenë më nevojën. /LAPSI.al