Haki Çako, i cili është Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ka pritur në një takim pune, ambasadoren e Francës në Shqipëri Christina Vasak.
Gjatë këtij takimi, Çako dhe Vasak diskutuan lidhur me çështje në interes të përbashkët, në drejtim të sigurisë dhe të bashkëpunimit policor në luftë kundër krimit të organizuar, terrorizmit, kontrollit të përbashkët të kufijve si dhe trafiqeve të ndryshme.
Gjatë bisedës, theksi u vu tek rëndësia e ngritjes së grupeve të përbashkëta hetimore, për grupe kriminale ose organizata të caktuara që cënojnë sigurinë e dy vendeve.
“Marrëdhëniet mes dy forcave Policore janë shumë të vjetra dhe të ngushta. Dëshiroj që këto marrëdhënie t’i forcojmë më tej për të mirën e të dy vendeve tona”, është shprehur ambasadorja Vasak.
Nga ana tjetër, Çako është shprehur se Policia e Shtetit është në proces intense ristrukturimi, ndërsa e ka cilësuar edhe si një domosdoshmëri të integrimit të Shqipërisë në BE.
“Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian kërkon si domosdoshmëri rritjen e kapaciteteve të Policisë Shqiptare në luftë kundër krimit të organizuar , terrorit dhe trafiqeve të ndryshme.
Jemi në një proces të vazhdueshëm, intesiv të ristrukturimit të Policisë por edhe të ngritjes së niveleve profesionale në përputhje dhe në përshtatje dhe me homologët tanë.
Ka sigurisht dhe problematika të cilat vazhdojnë të mbeten në vëmendje dhe që kërkojnë më shumë interesim dhe investim siç është dhe çështja e migracionit të paligjshëm. Për këtë qëllim Policia Shqiptare ashtu si dhe gjithë shteti Shqiptar janë angazhuar maksimalisht, edhe në përputhje dhe me protokollin e riatdhesimit të 2013 vazhdojmë të bëjmë riatdhesime të Shqiptarëve.
Në bashkëpunim dhe me Frontex-in ne vazhdojmë të përditësuar të bëjmë riatdhesimin me skuadra të shoqërimit të Policisë Shqiptare”, tha Çako. (D.D/Shuplaka)
Discussion about this post