Duket se kritikat e forta të deputetes Kejdi Mehmetaj ndaj ish-ministres Lindita Nikolla nuk janë kapërdirë lehtë.
Pas të djeshmes, si hakmarrje për Nikollën, deputetes i kanë ndërhyrë te të dhënat personale si studente në universitet, pas kritikave të forta që Mehmetaj bënte jo vetëm dje por edhe më parë ndaj mënyrës se si janë trajtuar maturantët.
Sot në mënyrë të paprecedentë për deputeten Mehmetaj është shpërndarë një listë notash duke thënë se është e saj nga portalet afër Partisë Socialiste.
Nuk ka kaluar më shumë se 12 orë nga debati i fortë që ndodhi dje mes deputetes Mehmetaj dhe ish-ministres Nikolla, e cila me arsyetim të ftohtë nga Mehmetaj u detyrua të përgjigjej publikisht. ”Nuk jam moj vajzë, por jam deputete e Kuvendit të Shqipërisë”, i kujtonte Mehmetaj Nikollës.
Mehmetaj është studenteve e Universitetit Politeknik të Tiranës, përkatësisht të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe nuk e ka mohuar këtë fakt, duke mos deklaruar asnjëherë se i ka përfunduar studimet.
Por çfarë ka ndodhur me të dhënat personale të deputetes, të cilat mbrohen nëpërmjet një passëordi?! Si janë ndryshuar ato? Si i janë shpërndarë të dhënat personale të provimeve të deputetes medieve? Në dorën e kujt ka rënë dokumenti elektronik që supozohet se duhet ta ruajë me shumë kujdes Sekretaria Mësimore e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit?! Cili institucion shtetëror e monitoron dhe a ka mundësi aksesi në këtë sistem për të ndryshuar çfarë të mendojë?
Në kufijtë e një skandali, publikimi i të dhënave personale të provimeve të një deputeteje të Kuvendit të Shqipërisë, ndodh menjëherë pas debatit të fortë publik mes saj dhe ish-ministres së Arsimit Lindita Nikolla dhe ku kushdo mund të futet në listën e notave të sekretarisë, të ndryshojë, madje edhe t’ua shpërndajë medieve.
Të gjitha replikat mes Kejdi Mehmetajt dhe Lindita Nikollës nisën pas akuzave të Ramës ndaj LSI-së për ligjin e Arsimit të Lartë, në një kohë që LSI-ja ka kundërshtuar gjithnjë miratimin e këtij ligji.
Kejdi Mehmetaj i kërkoi Ramës të fliste për vendimin më të fundit të firmosur nga Nikolla, “për të ruajtur po njësoj dhe me të njëjtin dështim sistemin e pranimeve në universitete, duke favorizuar sërish dhe me bindje universitetet private” siç shprehej Mehmetaj.
Kaq ka mjaftuar që Nikolla të reagonte mbi marrëdhëniet e LSI-së me universitetet që u mbyllën, deklaratë që u pasua nga Mehmetaj. “Çdo propozim ngeci në zyrën tuaj ku qëndron varur diploma e universitetit privat.” Kjo deklaratë u ndoq nga një tjetër replikë mes tyre, më e fundit ajo e Mehmetajt dje, e cila e ftonte Nikollën të përballej me të në një debat publik.
”Çdo akt yni për reformën në arsim ka ngecur pikërisht në zyrën tuaj, ku ndodhet e varur në mënyrë të dukshme edhe diploma juaj nga një universitet privat, e ngjashme me diplomat e disa kolegëve tuaj në grupin parlamentar. Më mirë se unë, ju duhet ta dini nëse diplomën tuaj e keni dhuratë apo e keni blerë ashtu sikur na akuzoni në statusin tuaj.”, tha dje Kejdi Mehmetaj. (V.G/SHUPLAKA)