Agjencia e Trajtimit të Pronave ka hapur aplikimet për kompensimin e pronarëve që preken nga ndërtimet e legalizuara. Gazeta boton listën e pronarëve që kompensohen sipas vendimit të sipërcituar, por vetëm pasi të kenë bërë aplikimin “online”.
“Në zbatim të VKM Nr.383, datë 19.05.2010 ‘Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale’, i ndryshuar, Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP) njofton: Fillimin e procesit të pranimit të kërkesave për kompensimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet informale, gjeneralitetet dhe të dhënat e të cilëve janë sipas VKM Nr. 481 datë 24.07.2024. Procesi i pranimit të kërkesave të subjekteve përfitues nuk do të jetë i kushtëzuar dhe i kufizuar në kohë”, – nënvizon ATP në njoftimin për mediat kur fton të gjithë subjektet e interesuara të aplikojnë “online” në portalin “e-Albania”.
“Aplikim për kompensim në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private që preken nga ndërtimet informale”.
Gjithë sa nevojitet është posedimi dhe ngarkimi në formë elektronike i gjashtë dokumenteve të listuara në tabelën përbri shkrimit. Të njëjtin, më pas duhet ta dërgojë edhe pranë agjencisë me postë. Përpos të tjerash, Agjencia fton edhe subjektet e tjera, kërkesa e të cilëve nuk është pranuar për mungesë dokumentacioni gjatë procedurave të mëparshme, të riaplikojnë.
Këta pronarë, nënvizon ATP, nuk paguajnë tarifë shërbimi, nëse provojnë pagimin e saj gjatë aplikimit të mëparshëm.
PERFITUESIT
Këshilli i Ministrave vendosi kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme që preken nga ndërtimet e legalizuara në Durrës, Dibër, Vlorë, Korçë dhe disa zona të Tiranës, të cilët përfitojnë nga fondi total prej më shumë se 206 milionë lekësh. Shuma e kompensimit financiar do të vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronave “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”.
Skema e kompensimit që ndiqet në këto raste, pra kur toka është zaptuar përpara shumë vitesh dhe gëzohet nga palë të treta, është kalimi i të ardhurave që u përdorën për legalizimin e asaj prone tek Agjencia e Trajtimit të Pronave, institucion i ngarkuar me kompensimin e pronarëve të parë. Kështu, në pamundësi për ta kthyer pronën tek i zoti, siç u proklamua në vendimin e vitit të kaluar, përdoret kjo formë kompensimi financiar.
DOKUMENTET QE NEVOJITEN
- Kërkesën për kompensimin e pronës, sipas formatit tip, që i vihet në dispozicion nga ATP.
- Dëshminë e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, sipas radhës së trashëgimtarëve, në përputhje me përcaktimet e Kodit Civil.
- Prokurën e posaçme, të nënshkruar nga të gjithë subjektet që përfitojnë kompensim, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare, në emër të tyre. (Në rastet kur nuk është e mundur të dorëzohet prokura e posaçme, secili bashkëpronar apo një pjesë e tyre, paraqesin kërkesë individuale apo të përbashkët, për pjesën takuese në pronën që kompensohet. Në rastin e kërkesave individuale të secilit bashkëpronar apo të një pjese të tyre, për çdo kërkesë të kryer, paguhet tarifë shërbimi në vlerën 2 000 (dymijë) lekë, pavarësisht se i përket të njëjtës pasuri të paluajtshme).
- Vërtetimin origjinal të lëshuar nga një bankë e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare në emër dhe për llogari të subjektit përfitues, ku përcaktohet edhe numri i llogarisë bankare (IBAN), ku do të transferohet vlera financiare e përfituar.
- Fotokopjen e dokumentit të identifikimit
- Mandatpagesën, që vërteton pagimin e tarifës së shërbimit në vlerën 2 000 (dymijë) lekë.