Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani mori pjesë në ceremoninë e hapjes së ambasadës së re të Kosovës në Kuala Lumpur në Malajzi.
Osmani u prit me nderime nga kryeministri malajzian, Anwar Ibrahim.në Kompleksin qeveritar “Perdana Putra” në Putrajaya të Malajzisë.
“Një dritare e re për vendin tonë, me plot mundësi për bashkëpunim edhe më të thellë me Malajzinë. Një prani edhe më e fuqishme diplomatike në një nga rajonet më strategjike në Azi.
Një shtëpi më shumë e Kosovës, ku do të avancohen interesat e qytetarëve tanë, do të fuqizohen aleancat tona dhe do të mbrohet me vendosmëri shenjtëria e sakrificës së popullit të Kosovës për liri e shtet”, ka theksuar presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.
Ndërsa Osmani ka falënderuar kryeministrin Anwar Ibrahim, për mbështetjen e vazhdueshme të Malajzisë për Kosovën. Ajo tha se në takim riafirmuan angazhimin për lidhje më të forta diplomatike, dhe partneritete më të ngushta ekonomike në fushat me interes të përbashkët.
Ajo ka mirëpritur edhe vendimin e Malajzisë për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, si një akt besimi dhe miqësie midis dy vendeve tona.
Gjithashtu, Osmani ka falënderuar kryeministrin Ibrahim për mbështetjen e vazhdueshme të Malajzisë për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare duke thënë se Kosova është e gatshme të kontribuojë edhe në platformat e mëtejshme rajonale si ASEAN.