Ambasadorët e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian vendosën me unanimitet hapjen e negociatave për grupkapitullin e pestë, që përfshin sektorin e Bujqësisë dhe Kohezionit për Shqipërinë.
Ky kapitull konsiderohet si një prej fazave finale të procesit të anëtarësimit, duke shënuar një moment kyç në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
Vendimi u mor gjatë një mbledhjeje të Komitetit të Përhershëm të Përfaqësuesve të Përhershëm (Coreper) në Bruksel, ku përfaqësuesit e shteteve anëtare rikonfirmuan angazhimin e tyre për avancimin e Shqipërisë në procesin e negociatave. Me këtë vendim, Shqipëria përparon drejt plotësimit të të gjitha kapitujve të hapur dhe afrimit të mëtejshëm me standardet dhe ligjet europiane.
Grupkapitulli i pestë përfshin politika kyçe në fushën e bujqësisë, zhvillimit rural, menaxhimit të fondeve europiane dhe kohezionit social dhe ekonomik, të cilat janë shtylla kryesore për zhvillimin e qëndrueshëm dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve. Ekspertët europianë kanë vlerësuar progresin e Shqipërisë në këto fusha, ndërsa pritet që vendi të përfitojë nga fondet strukturore dhe të investojë në zhvillimin rural dhe infrastrukturën bujqësore.
Pas hapjes ka ardhur dhe reagimi i Kryeministrit Edi Rama në Facebook:
“SHQIPËRIA NUK NDALET – Sot, më 23 korrik 2025, në vijim të progresit të vazhdueshëm e dinamik të Shqipërisë në rrugën e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Vendeve Anëtare të Bashkimit Europian autorizoi Presidencën Daneze të ftojë Shqipërinë për të paraqitur Pozicionin e saj Negociues për negociatat lidhur me kapitujt që përbëjnë Grupkapitullin 5 “Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni”-tha Rama.