Është hapur tërësisht për qarkullim Unaza e Madhe e Tiranës, e cila pritet të çlirojë kryeqytetin nga trafiku i rënduar. Ka qenë kryeministri Edi Rama bashkë me drejtorin e ARRSH-së, Gentian Xhyli, dhe zëvendëskryeministren Belinda Ballukun, që ndoqi ng afër hapjen e Unazës.
Unaza e Madhe e Tiranës ka një gjatësi totale 28.7 kilometra. Shpejtësia e projektuar e lëvizjes është 140 km në orë.
Kryeministri Rama ka ndarë në Facebook një video me punimet e fundit në Unazën e Madhe.
Kjo unazë do të jetë në shërbim të të gjithë automjeteve, të cilat aksesojnë Tiranën nga të gjitha hyrjet jashtë qytetit, si nga Rruga e Arbrit, ashtu edhe nga rruga Tiranë-Elbasan apo Tiranë-Durrës.
Unaza e Madhe e Tiranës, krahas korsive të shpejtësisë së automjeteve, ka pjesë të projektit edhe elementët urbanë, si ndriçim dhe gjelbërim, duke qenë se kalon përmes zonave të banuara. Për këmbësorët do të ketë gjithashtu hapësira të dedikuara.
Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, Unaza do te kishte përfunduar më shpejt, por një sërë faktorësh i penguan punimet. Aktualisht, në terren po punohet për detajet e fundit të projektit, duke përfshirë sinjalistikën dhe të tjerë elementë të sigurisë rrugore.