Personi që shihni në foto është 35-vjeçari, i cili qëlloi me armë zjarri kundër policisë shqiptare në Bularat.
Incidenti i rëndë ndodhi mëngjesin e sotëm në Bularat të Gjirokastrës, ku qytetari grek, Kostandinos Kaçifa qëlloi me armë drejt makinës së policisë shqiptare.
Kafiça mësohet se i përket minoritetit grek, dhe ngjarja ka ndodhur në festën që po zhvillohej në Bularat. Fatmirësisht nuk ka mbetur asnjë polic i lënduar, por vetëm është thyer xhami i mjetit të policisë.
Aktualisht fshati është ‘blinduar’ nga Forcat Shqiponja, FNSH si dhe RENEA, ndërkohë që po bëhet krehja e zonës në fjalë, për të bërë të mundur kapjen e Kaçifës.
Ndërkohë policia në një njoftim zyrtar tha se Shtetasi Kostandinos Kaçifa porsa ka parë shërbimet e policisë që po afroheshin në drejtim të tij ka hapur zjarr me breshëri ndaj punonjësve të policisë duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë.
Njoftimi i plotë:
Bularat, Gjirokastër.
Rreth orës 10:00 në krye të fshatit Bularat, shtetasi Kostandinos Kaçifa, rreth 35 vjeç ka qëlluar me armë zjarri në ajër.
Menjëherë në drejtim të vendit nga vinin të shtënat kanë shkuar shërbimet e Policisë të cilat ishin të dislokuara në qendër të fshatit pasi do zhvillohej aktivitet me rastin e festës së Greqisë.
Shtetasi Kostandinos Kaçifa porsa ka parë shërbimet e policisë që po afroheshin në drejtim të tij ka hapur zjarr me breshëri ndaj punonjësve të policisë duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë.
Fatmirësisht nga të shtënat nuk ka punonjës policie të plagosur, por vetëm është thyer xhami i mjetit të policisë.
Policia menjëherë ka rrethuar zonën ku përsëri ky shtetas ka hapur zjarr në drejtim të punonjësve të policisë që po e ndiqnin.
Shtetasi Kostandinos Kaçifa është futur në thellësi të fshatit ku forcat “Shqiponja” dhe sherbimet e tjera të Drejtorisë Vendore të Policisë vijojnë krehjen e zonës për të bërë të mundur kapjen e tij.
Në ndihmë të shërbimeve të Policisë së DVP Gjirokastër po shkojnë forcat speciale Renea.
Shtetasi Kostandinos Kaçifa jeton në Greqi dhe ka rreth një javë që ka ardhur në Bularat.
Vijon ndjekja.
(M.Q/Faxweb.al)