Kryeministri Edi Rama në një intervistë për DW gjatë vizitës në Gjermani dhe në pritje të takimit me Merkel ka theksuar edhe njëherë se Shqipëria e meriton që sot t’i hapen negociatat.
“Ne kemi marrë rekomandim të qartë e pa kushte që do të thotë se teknikisht kemi përmbushur detyrimet, tashmë është vendimmarrje e bazuar në gjykim politik e këtu ka gjithmonë luftë se ka interesa e këndvështrime të ndryshme. Unë uroj që Shqipëria të mos bëhet peng i asnjë dinamike të brendshme politike e të mos përdoret si kokë turku për të avancuar axhendat që nuk kanë të bëjnë me atë që ne kemi bërë për detyrat e shtëpisë”- tha ai.
Në përgjigje të pyetjes nëse pret ndihmë nga Berlini, Rama theksoi:
“Ka mjaft miq të Shqipërisë në këtë proces, besoj fort se kancelarja Merkel që është një kampione evropiane dhe e transformimit në rajon me procesin e Berlinit do të jetë në favor të çuarjes përpara të këtij procesi për ne dhe Meqedoninë në një moment thelbësor”- tha ai.
(M.Q/Faxweb)