Forumet rinore politike, FRESSH, FRPD dhe LRI janë bërë bashkë për një kauzë të mirë, duke i dhënë kështu një leksion edhe politikanëve.
Bashkë me organizatat rinore të shoqërisë civile, të rinjtë e forumeve politike do të protestojnë nesër në orën 12:00 tek Ambasada Franceze (blloku i ambasadave) në mbështetje dhe për lirimin e kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj.
Ndërsa flitet për një protestë paqësore, të rinjtë e formumeve politike besojnë se: “Mbajtja e Z. Haradinaj në paraburgim në Francë, për shkak të një fletarresti të lëshuar nga Serbia në vitin 2004 është e papranueshme dhe një fyerje për çdo shqiptar. Ne besojmë po ashtu se është detyrimi ynë që të reagojmë ndaj kësaj padrejtësie që nuk prek një individ, por çdo shqiptar, në Kosovë, Shqipëri, në diasporë. Prandaj ju ftojmë të na bashkoheni edhe ju për të ngritur zërin deri në lirimin e Z. Ramush Haradinaj”.
Protesta e tyre bëhet një ditë para se Haradinaj të dalë në sallën e gjyqit. Jo vetëm në Kosovë e Shqipëri, por edhe në shumë vende të ndryshme të botës, aty ku ka shqiptarë, janë zhvilluar protesta për lirimin e e ish-kryeministrit të Kosovës dhe kreut të AAK-së. (A.R/SHUPLAKA)