Kryeministri i sapo zgjedhur i Kosovës Ramush Haradinaj u ka qëndruar deklaratave të tij të mëparshme për sa i përket marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.
Haradinaj i cili ka qenë një kundërshtar i ashpër i versionit aktual të demarkacionit ku sipas tij i faleshin Malit të Zi mijëra hektar tokë, ka deklaruar se demarkacioni me Malin e zi i nënshkruar nga qeveria e mëparshme e Kosovës është i gabuar.
“Parimet e mia politike nuk bazohen në rast të opozitës apo pushtetit, unë mbroj atë që besoj dhe deklarohem për atë që besoj. Versioni i tanishëm i marrëveshjes është i gabuar. Kufiri Kosovë-Mali i Zi është në Çakorr dhe në Kullë dhe në majat e larta, pra ne do të korrigjojmë këtë”, ka thënë Haradinaj në një intervistë për Zërin e Amerikës.
“Është një fat i madh që Mali i Zi është një vend fqinj, ne ju kemi gëzuar përparimeve të Malit të Zi, veçanërisht anëtarësimit në NATO e që synojmë edhe ne të anëtarësohemi në NATO dhe nuk shoh vështirësi të mëdha në këtë temë”, është shprehur ai.
I pyetur se a mund të zhbëhet marrëveshja, duke pasur parasysh se tashmë Mali i Zi ka ratifikuar marrëveshjen për kufirin me Kosovën, Haradinaj është përgjigjur: “Një marrëveshje është e mbyllur kur e ratifikojnë dy parlamente e jo njëri, sepse është marrëveshje ndërkombëtare dhe si e tillë ajo mund të kthehet edhe në pikën zero, pra nëse nuk e ratifikon edhe pala tjetër”.
Sipas Haradinajt ka dy opsione se si duhet zgjidhur kjo situatë.
“Marrëveshja për mua ka gabime, pra për mua, besoj që këto gabime do t’i identifikojmë, me siguri do të kemi edhe ekspertizë të re, pra ekspertë tjerë nga ata që kanë punuar në të kaluarën nga zoti (Murat) Meha dhe të tjerë dhe ata gjejnë të vërtetën, pra marrëveshja ka gabime. Nuk dëshirova të precizoj metodologjinë sepse është herët për të paralajmëruar atë, por janë dy opsione; gjetja e këtyre gabimeve dhe negocimi me Malin e Zi për dakordim, korrigjimi pra në mënyrë që ta miratojmë edhe këtu në Kosovë dhe në Mal të Zi dhe është mënyra tjetër që me ja dërgu parlamentit këtë marrëveshje për votim por duke i thënë që ne e dimë që ka gabime dhe rrëzojeni. Nuk ka rrugë tjetër nuk mbesin të përjetshme këto situata, pra unë do të veproj, nuk do ta lë pa kufi këtë pa epilog”, ka theksuar Haradinaj. (B.H/Shuplaka)