Janë harruar protestat dhe përplasjet për mosnjohjen e Këshillit të ri Bashkiak në Shkodër i cili mbledhjen e tij të parë e ka zhvilluar pikërisht brenda Bashkisë në sallën e posaçme në formën me paqësore dhe pa asnjë incident minimal.
Në përfundim të mbledhjes kryetarja e Këshillit bashkiak Brisela Kadia ka komentuar situatën e pazakontë në të cilën ndodhet Shkodra, me një kryetare të cilës i ka mbaruar mandati por që akoma nuk po i jepet një zgjidhje konkrete se si do procedohet me keëtë qytet i cili jetën politike po e vijon për inerci dhe në mjegullnajë të plotë.
”Shkodra ka një kryetare në detyrë që është Voltana Ademi deri kur instutucionet të cilët janë vënë në dijeni nga prefekti siç janë KQZ dhe Presidenti të kenë një vendimmarrje. Ndërsa tashmë kemi një Këshillë të formësuar i cili sot ngriti komisionet dhe mori vendime siç është miratimi i ndihmës ekonomike”, tha Kadia.
Sa i takon dakordsisë dhe bashkëpunimit, për vendimmarrjet e rëndësishme me kryebashkiaken Ademi, e cila e ka deklaruar se nuk e njeh këshillin e bashkisë të dal nga zgjedhjet e 30 qershorit, Kadia tha se fakti qe brenda këshillit u zhvillua mbledhja njëlloj si në këshillin pararendës është sinjal pozitiv.
Ajo ka preferuar të mos paragjykojë mungesën e Ademit në mbledhjen e parë duke thënë se mbledhja më së shumti lidhej me ngritjen e strukturës së këshillit dhe jo me vendimmarrje të rëndësishme për politikat lokale.
Nga ana tjetër, Fatlum Nurja ish-këshilltarë bashkiak dhe ekspert i qeverisjes vendore ka preferuar të ndjek nga afër këtë mbledhje të parë, teksa në përfundim ka deklaruar se politika qëndrore nuk po hap dritë jeshile për Shkodrën duke e lënë në plan të dytë situatën e paprecedent të krijuar pikërisht këtu. “Është format absurd i këshillit por jo për faj të këtyre këshilltarëve, e megjithatë duhet të funksionojë administrimi i qytetit ndonëse ne jemi kampionet e absurditetit,” tha Nurja.
“Deklaratat e Voltana Ademit për mosnjohje të këshillit janë politike dhe emocionale por ka komunikim mes paleve”, nënvizoi ai.
Eksperti i çështjeve vendore tregoi se si mund të zgjidhet ligjërisht situata e krijuar në Shkodër, pas dorhëqjes së Valdrin Pjetrit akoma pa marrë detyrën duke pranuar se çudit në këtë proces nuk janë parashikuar as nga hartuesit e huaj për ligjin organik.