Kreu i Prokurorisë së Përgjithshme Olsian Çela ka dhënë dakordësinë për hartën e re gjyqësore, që është propozuar nga KLGJ.
Në letrën që i ka dërguar Ministrisë së Drejtësisë, Çela thotë se vlerësojnë frymën e këtij bashkërendimi dhe koordinimi ndërinstitucional në përballje me nevojat për të lehtësuar rritjen e ngarkesës dhe mbështetur veprimtarinë e prokurorëve me numër të reduktuar.
Ky qëndrim i Olsian Çela vjen në një kohë kur harta e re gjyqësore është duke u kundërshtuar nga dhomat e avokatisë në të gjithë vendin, si dhe qytetarët.
Mbyllja e 18 gjykatave të rrethit dhe apelit, pritet që të sjellë kosto të shtuara për qytetarët, ndërkohë që aksesi në drejtësi do të bëhet gjithnjë dhe më i vështirë.
Harta është propozuar nga KLGJ, dhe pritet të marrë më tej dhe dakordësinë e Ministrisë së Drejtësisë dhe qeverisë.