Shqipëria ka pagën më të ulët mesatare në Europë, pa përfshirë vendet e Ish Bashkimit Sovjetik.
Sipas të dhënave të përpunuara nga Wikipedia, bazuar në informacionet e marra nga FMN, Banka Botërore dhe institucionet përkatëse statistikore vendase, në Shqipëri, paga mesatare neto (pas taksave) është 347 euro në muaj, sipas të dhënave që janë përditësuar në tremujorin e parë 2017.
Në këtë nivel, paga mesatare është më e ulëta në Europë, me përjashtim të Bjellorusisë, Moldavisë dhe Ukrainës.
Wikipedia i referohet të dhënave të INSTAT për pagën mesatare në sektorin shtetëror, që ishte 56,500 lekë në fund të tremujorit të parë, ndërsa të dhënat e tjera të INSTAT tregojnë se paga reale në ekonomi, përfshirë edhe sektorin privat është akoma më e ulët. Sipas INSTAT, Paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë sipas group-profesioneve dhe gjinisë në fund të vitit 2016 ishte 45,845 lekë, pra rreth 334 euro bruto dhe 290 euro neto. Këtu ka ndikim edhe fakti që informaliteti i pagës në sektorin privat është shumë i lartë dhe një numër i madh subjektesh nuk deklarojnë pagën reale për të punësuarit e tyre(shënim i Monitor). Në krahasim me një vit më parë, paga mesatare në ekonomi ra me 2.1% në vitin 2016.
Në Kosovë, paga mesatare neto është më e lartë se në Shqipëri, ajo luhatet në rreth 405 euro.
Në rajon, sipas Wikipedia, pagën mesatare më të lartë e ka Mali I Zi, me 509 euro në muaj, e ndjekur nga Bosnjë Hercegovina me 439 euro, Bullgaria me 423 euro, Serbia 407 euro, Kosova 405 euro dhe Maqedonia 372 euro.
Edhe e matur sipas metodës së fuqisë blerëse, ku të ardhurat përshtaten me shpenzimet e jetesës, paga në Shqipëri është sërish më e ulëta në Europë, me rreth 1000 dollarë. Madje në këtë renditje, Shqipërisë ia kalon edhe Bjellorusia, që ka pagë mesatare më të ulët sesa ne. Më të lartë pagën sipas fuqisë blerëse e kanë Mali I Zi, që me 1422 dollarë ia kalon edhe Portugalisë, Bullgarisë dhe Rumanisë dhe Kosova (1251), që ia kalon dhe Serbisë e Bosnjës. Në të dy këto shtete, kosto reale e jetesës është më e lirë, rroga është më e mjaftueshme për të blerë produkte të ndryshme, në krahasim me Shqipërinë, apo shtete të tjera të rajonit.
Në Europë, vendi ku ke mundësi të marrësh më shumë të ardhura përmes pagës është Zvicra me 4,421 euro në muaj, të ndjekura nga Islanda me 3,430 euro, Norvegjia (3,405), Danimarka (3,270), Luksemburgu (3,159), Suedia (2,713). (shiko tabelen në fund)./monitor