Mediat turke kanë publikuar pamjet kur mësuesi turk, Harun Çelik dëbohet nga vendi ynë.
Ai u dërgua nga drejtoria e azilantëve në Laprakë për në aeroportin e Rinasit, ndërsa në pamjet e transmetuar nga mediat turke shihen miqtë e tij që ndjekin nga pas makinën.
Madje njëri dëgjohet teksa thotë: “Harun, bëj sikur të bie të fikët”, duke u munduar që ti vijë sadopak në ndihmë mikut të tij.
Shqipëria urdhëroi dëbimin për herë të parë të një anëtari të lëvizjes Gulen në Turqinë e Erdoganit mbrëmjen e së mërkurës më 1 janar 2020.
https://www.youtube.com/watch?time_continue=121&v=70vatM96RN0&feature=emb_title
Lidhur me këtë ngjarje pati një reagim të ashpër dhe nga eurodeputetja rumune Ramona Strugariu.
Kjo e fundit reagoi menjëherë duke kritikuar qeverinë shqiptare përmes një statusi në Tëitter.
Ajo i kujton kryeministrit Rama ligjin dhe i kërkon të mos e ekstradojë Harun Celikun në Turqi.
“Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, Shqipëria ka firmosur Konventën e Këshillit të Europës mbi ekstradimin. Për më shumë, ju thoni se Shqipëria është gati për në BE. Atëherë ju lutem respektoni nenin 19, pika 2 të Kartës Europiane për të Drejtat Themelore dhe mos e ekstradoni #HarunÇelik në Turqi!” shkroi ajo.
Partia Demokratike kërkoi dje nga ana e qeverisë transparemncë për këtë çështje, pasi deportimi i mësuesit turk, bie ndesh me respektimin e të drejtave të njeriut, dhe konventave ndërkombëtare që i ka pranuar edhe Shqipëria.
“Ndërsa mediat po raportojnë me shqetësim për një ekstradim të një qytetari turk sipas tyre në shkelje të ligjit, nuk ka asnjë sqarim të institucioneve shtetërore për këtë ngjarje.
Heshtja dhe zgjedhja e datës 1 Janar për këtë veprim na detyrojnë të kërkojmë trasparencë të menjëhershme për çfarë po ndodh, dhe përgjigje nëse veprimet e autoriteteve janë në përputhje me ligjet në fuqi, konventat ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut?
Është prioritare për çdo vend demokratik, veçanërisht në procesin e integrimit europian, të respektojë këto parime, të drejta e detyrime. Shkelja e tyre është kthyer në rregull për qeverinë e korruptuar dhe të inkriminuar të Edi Ramës”, ka shkruar Partia Demokratike.
Nga ana e qeverisë shqiptare apo policisë nuk ka pasur asnjë reagim lidhur me këtë ngjarje, ndërsa akuzat bienë në drejtim të kryeministrit Edi Rama dhe lidhjes së tij me presidentin turk Erdogan.
(E.K/Faxweb.al)