Ministri për Evropën dhe Punët e jashtme, Igli Hasani priti sot në një takim Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Alain Berset.
Hasani theksoi se kjo është një vizitë veçanërisht simbolike pasi viti 2025 përkon edhe me 30-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Evropës.
Gjatë takimit u vlerësua progresi i Shqipërisë në forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut, si dhe roli aktiv në organizatat ndërkombëtare dhe mbështetja e saj për Ukrainën.
Gjithashtu Hasani i nënvizoj Berset se anëtarësimi mëse i merituar i Kosovës në Këshillin e Evropës duhet të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur.
“Shqipëria qëndron e palëkundur në mbështetjen ndaj saj, duke e parë si një pikë kyçe për stabilitetin rajonal dhe promovimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut”, theksoi Hasani në një postim në rrjetet sociale.