Gjykata e Durrësit ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg ndaj dy autorëve të dyshuar për vrasjen e vëllezërve Viktor dhe Besmir Haxhia dhe shtetasve Anxhelo Avdia dhe Dorian Shkoza. Gjykatësja Eda Kaja ka lënë në burg shtetasit: Altin Ndoci, 33 vjeç, banues në Tiranë dhe Klevis Alla 22 vjeç, banues në Durrës, të cilët u arrestuan ditën e djeshme në kuadër të operacionit “Shën Vlash”.
Ata janë shoqëruar mëngjesin e sotëm nën masa të rrepta sigurie drejt Gjykatës së Durrësit dhe gjatë mbajtjes së seancës që u zhvillua pa praninë e medieve, institucioni ishte i rrethuar nga forca të shumta policore.
Këta persona në bashkëpunim edhe me dy të tjerë që janë në kërkim, akuzohen se janë autorë të ekzekutimit të 2 vëllezërve Haxhia si dhe të ngjarjes së ndodhur më 02.03.2020, po në Nishtulla, ku mbetën të vrarë me armë zjarri Dorian Shkoza, 35 vjeç dhe Anxhelo Avdia, 24 vjeç.
Nga hetimet e kryera dhe këqyrja e vendit të ngjarjes rezulton se mekanizmi i kryerjes së krimit në të dyja ngjarjet është i ngjashëm dhe shkaku dyshohet të jetë prishja e pazareve për aktivitetin kriminal, ndaj dhe Prokuroria ka bashkuar dy dosjet në një të vetme. I akuzuari Altin ndoci ka deklaruar para trupave gjykues se nuk e ka bërë ai këtë krim.
“Jam familjar me vëllezërit Haxhia, i kam pasur miq e vëllezër si mund të bëja unë një gjë të tille”, është shprehur Ndoci, ndërkohë që dhe avokati Saimir Haxhia tha se ndaj klientit të tij nuk ka asnjë provë. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 3 armë zjarri kallashnikov, municion luftarak, 12 aparate telefonik të përdorur e prova të tjera të vlefshme që do i shërbejnë hetimit për dokumentimin e plotë të këtyre ngjarjeve.
Çfarë thuhet në dosjen e prokurorisë së Durrësit: Dy vëllezërit janë gjetur të vdekur në makinën e tyre tip “Golf 6” me targa AA 716 ZZ. Në afërsi të viktimave janë gjetur 55 gëzhoja armë zjarri model 56, kalibër 7.62mm, dhe katër telefona celularë që u përkisnin viktimave.
Në trupat e dtë dy viktimave kishte dëmtime të shumta nga breshëria e plumbave, konkretisht Besmir Haxhia kishte 20 dëmtime në kokë dhe një plumb në trup, ndërsa vëllai i tij Viktor Haxhia kishte 18 dëmtime afër kokës. Në dosjen e Prokurorisë shkruhet se dy vëllezërit me origjinë nga Puka ishin banorë të lagjes 15 në Durrës, ndërsa ishin pronarë të një pike turistike dhe merreshin edhe me tregtim të mjeteve motorike.
Vëllezërit Besmir dhe Viktor Haxhia u vranë në 27 mars në Durrës, ku ranë pre e një prite nga Altin Ndoci dhe Klevis Alla, të dy të arrestuar dhe të dënuar me burg ditën e sotme. Autorët e krimit përdornin një makinë Toyota ngjyrë gri, ndërsa kanë goditur viktimat me kallashnikov, duke derdhur mbi ta 55 plumba. Vrasja dyshohet se ka ndodhur si pasojë e prishjes së pazareve të drogës mes grupeve kriminale. (E.K/Faxweb.al)