Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas një tjetër përpjekjeje të pasuksesshme për t’u zgjedhur kryetare e Kuvendit të Kosovës.
Ajo ka theksuar se mungesa e gatishmërisë politike për ta funksionalizuar Kuvendin po e shtyn vendin drejt një zgjidhjeje të paevitueshme – mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që Kuvendi i Kosovës të fillojë punën. Lëvizja Vetëvendosje e ka shprehur qartë pozicionin e saj. Por duket se nuk ka vullnet për të arritur te konstituimi i Kuvendit. Ne jemi të hapur për të biseduar me subjektet tjera politike lidhur me caktimin e një date për zgjedhjet”, u shpreh Haxhiu.
Ajo shtoi se Vetëvendosje është e gatshme për dialog në mënyrë që të dilet nga ngërçi: “Nëse partitë nuk e konstituojnë Kuvendin, atëherë është e qartë se zgjidhja e vetme është kthimi te qytetarët përmes zgjedhjeve të reja”, përfundoi ajo.
Ndërkohë, Albulena Haxhiu ka dështuar për të katërtën herë në tentativën për t’u zgjedhur kryetare e Kuvendit, duke marrë 57 vota kundër, 48 pro dhe 3 abstenime.