Drejtori i CRCA-s Altin Hazizaj në një lidhje me skype në Fax Neës, ka folur për rastet e ngacmimeve seksuale ndaj të miturve, që ditët e fundit duket se janë shtuar ndjeshëm në vendin tonë. Ai tha se vetëm në 2 javët e fundit janë adresuar 800 denoncime, duke nisur që nga rastet e pornografisë, e deri te ato për mungesën e paisjeve për të mësuar online.
“Shpresoj që ky rast, i adoleshentes në Sarandë që pretendon se është dhunuar nga babai i saj, të marrë zgjidhje sa më të shpejtë, kemi pasur rreth 800 denoncime në këto dy javët e fundit, duke nisur nga pornografia e të miturve te ajo e të rriturve, ose ajo që quhet dhuna në internet, nuk na kishte qelluar që të kishim një numër kaq të lartë ankesash.
Kemi punuar shumë afër dhe me Bashkitë, për të bërë të mundur ndihmën ushqimore për fëmijët, kemi pasur dhe shumë ankesa për aksesin e fëmijëve në mësimin online. Kemi identifikuar në të gjithë vendin 600 fëmijë që kanë nevojë për paisje teknologjike, që të mund tiu vijmë në ndihmë këtyre fëmijëve.”, tha Hazizaj, ndërsa bëri dhe një thirrje për nënat, që tiu besojnë fëmijëve të tyre.
“Dhuna seksuale vjen me shumë tabu, duke nisur nga vetë fëmija, që mendon se ka ndodhur për fajin e tyre. Shumica e adoleshentëve mendojnë se janë bërë ata shkak për dhunën seksuale që kanë bërë të rriturit ndaj tyre. Është mirë që fëmijët ta tregojnë ngjarjen me dikë që është i besueshëm, ajo që ne konstatojmë është që nënat janë të parat me të cilët fëmijët hapen. Dua të bëj thirrje për të gjitha nënat, që roli jot si nënë është të besosh fëmijën tënd mbi të gjitha.
Nëse fëmijët nuk kanë besim te të afërmit e tyre mund të marrin në telefon në 24 orë në ditë te 116 111 që është numri i telefonit për ndihmën e fëmijëve. Ka punonjës që janë të specializuar për mbështetjen e fëmijëve, gjë që do të bënte që ai fëmijë të largohej menjëherë nga shtëpia, dhe të çohej në një mjes të sigurt”, u shpreh Hazizaj.