Ditën e djeshme banorët e Kurbneshit Njesia Selitë në Mirditë dolën në protestë kundër ndërtimit të dy HEC-ve mbi lumin e Urakës.
Banorët kërkuan shfuqizimin e koncensioneve pasi ndërtimi i HEC-ve dëmton rëndë këtë perlë të natyrës. (lexo ketu)
Të ftuar në studion e Fax News aktivistët Martin Gjonaj dhe Davita Arapi janë shprehur se banorët janë përjashtuar tërësisht nga projekti, dhe se firmat e mbledhura nuk i përkasin atyre.
“Projekti nuk është bërë transparent. Janë dhënë 450 leje për HEC-e në të gjithë vendin që do të thotë praktikisht se çdo përrua ka nga një digë, duke shkatërruar natyrën, dhe potencialin turistik. Rasti i Urakës është në vazhdën e disa HEC-eve që janë dhënë në zonën e Mirditës, në lumenjtë Fani i Madh dhe Fani i vogël. Fanin e Vogël e kanë futur përmes tubave të fshehtë”, u shpreh Gjonaj.
“Banorët nuk janë pyetur për këtë projekt, ndërsa tani në zonë po kryhet hapja e rrugës, po shpohet dhe një pjesë e malit për të formuar ujëmbledhësin. Banorët janë informuar vetëm kur kanë parë në teren punonjësit dhe nuk janë njohur me asnjë dokumentacion.
Para gjashtë muajsh ka pasur një takim të fshehtë me disa persona, ndërkohë që si rregull është që dëgjesat duhet të bëhen publike edhe në mediat lokale. 150 banorët e zonës e thonë që janë kundër këtij projekti”, u shpreh Arapi.
Në mbeshtetje të banorëve u shpreh dje edhe ipeshkevi i Mirditës Gjergj Meta.
Jo HEC-eve mbi Urakë!
“Për shkak të meshëve në Bukmirë e Katedralen e Rrëshenit, nuk mund të jem në mbështetje të banorëve të Selitës në protestën e tyre kundër ndërtimit të HEC-eve mbi lumin Urakë.
Por shpirtërisht dhe me gjithë zemrën time jam aty me ta. Zoti na ka dhanë natyrën, lumenjtë e detet, nuk mund dhe nuk duhet t’i përçudnojmë.
I bëj thirrje shtetit që të mos lejojë të përsëriten gabimet që janë bërë mbi Fan apo në Valbonë a kudo tjetër.
Zëri i komunitetit selitas që jeton aty me shekuj duhet të dëgjohet. Unë jam me ta e do të jem gjithmonë në mënyrë që Uraka e bukur të mbetet sikurse e ka bërë Zoti”.
(E.K/FAXWEB.AL)