Kryetari i Gjykatës së Apelit në Shkodër Fuat Vjerdha ka reaguar në lidhje me çështjen “Valbona” dhe pranon se dokumenti mbi të cilin është dhënë vendimi që kompania “Gener 2” të vazhdojë punimet për ndërtimin e HEC-eve, është i falsifikuar.
Por sipas tij pushimi i procedimit penal dhe lënia në fuqi e vendimit të gjykatës së Tropojës, është bërë për shkak të kalimit të afatit 5-vjeçar të parashkrimit, që do të thotë se me kalimin e një kohe të caktuar nuk mund të bëhet ndjekja penale.
“Gjykata e Apelit të Shkodë ka vendosur pushimin e procedimit penal për dokumentin në fjalë pasi konstatohet që ka kaluar afati 5-vjeçar i parashkrimit, pra me kalimin e një kohe të caktuar nuk mund të bëhen ndjekje penale”, tha Fuat Vjerdha, raporton ‘Faxweb.al’.
Megjithatë kreu i Apelit Shkodër qartësoi se nuk është vendosur vazhdimi i punimeve me vendimin e ditës së djeshme të Apelit në Shkodër, pasi çështja për përdorimin e këtij dokumenti të falsifikuar do të gjykohet në Tiranë, ndërsa vendimi i djeshëm i Apelit në Shkodër ishte vetëm për procedimin penal të falsifikimit të dokumenteve.
“Dje është marrë në shqyrtim në Gjykatën e Apelit Shkodër kërkesa e prokurorisë pranë gjykatës së shkallës së parë, Tropojë, dhe Gjykata e Apelit ka vendosur ta lërë në fuqi vendimin e gjykatës së rrethit gjyqësor, Tropojë e cila kishte pranuar kërkesën e prokurorisë për pushimin e procedimit penal. Ky procedim penal ka filluar me ankimin, kallëzimin e disa shtetasve të luginës së Valbonës që kanë paraqitur dokumentacion për falsifikimin e një procesverbali, ku figuron se nënshkrues të procesverbalit kanë qenë shtetas që në datën që mban procesverbali kanë qenë të vdekur.
Prokuroria e rrethit gjyqësor Tropojë ka hetuar dhe ka ngritur dy akuza, një për falsifikim të këtij dokumenti dhe përdorim të këtij dokumenti të falsifikuar dhe ka bërë ndarjen e procedimit duke dërguar ndarjen e procedimit për përdorimin e dokumentit të falsifikuar në prokurorinë e rrethit gjyqësor Tiranë.
Dhe nga ana tjetër pasi ka konstatuar se kanë kaluar 5 vjet nga momenti i nënshkrimit, të datës që mban dokumenti që është në mars 2018 dhe ka konstatuar se kallëzimi është bërë pasi ka kaluar afati 5-vjeçar, prokuroria i ka kërkuar gjykatës që të vendoset pushimi i ndjekjes penale dhe gjykata e ka shqyrtuar dhe ka vendosur pushimin e ndjekjes penale. Pasi janë njohur me këtë vendim kallëzuesit kanë paraqitur ankim në Gjykatën e Apelit Shkodër në lidhje me pakënaqësitë për vendimin, Gjykata e Apelit Shkodër ka marrë në shqyrtim ankimin ditën e djeshme dhe ka venddosur lënien në fuqi të vendimit për pushimin e procedimit penal në fjalë. Pra për procedimin penal të falsifikimit të dokumenteve pasi konstatohet se ka kaluar afati 5-vjeçar i parashkrimit dhe me kalimin e një kohe të caktuar nuk mund të bëhen ndjekje penale. Ndërkohë unë nga mediat dëgjoj lajmet thuhet se u la në fuqi vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë në Tropojë, çfarë do të thotë se do të vijojë puna për ndërtimin…në gjithë materialin e medias nuk bëhet fjalë për se për çfarë çështje gjykohet, çështje penale, civile. Pra në Gjykatën e Apelit nuk është marrë në shqyrtim vijueshmëria apo jo e punimeve, pra çështja nuk është pushuar përfundimisht, është pushuar vetëm për falsifikimin, ndërsa për përdorimin e dokumentit të falsifikuar çështja vazhdon në Tiranë nëse nuk ka për t’u mbyllur”, saktësoi Fuat Vjerdha.
Discussion about this post