Një dasmë në Shijak për pak sa nuk është kthyer në tragjedi, pas një helmimi masiv të pjesëmarrësve.
Pronari i lokalit po ndiqet penalisht në gjendje të lirë, ndërsa për marrjen e masave të tjera do të priten përfundimet e analizave përkatëse.
Bëhet fjalë për rreth 50 persona, mes tyre edhe fëmijë, që kanë shfaqur probleme dhe kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spitalin e Durrësit pas konsumimit të ushqimit gjatë ceremonisë festive.
Pasi kanë marrë ndihmën e parë, 38 prej tyre mësohet të jenë larguar menjëherë, ndërsa 12 të tjerë u shtruan pasi ndodheshin në gjendje më të rënduar shëndetësore.
Me kalimin e orëve gjashtë prej tyre u larguan pasi shëndeti i tyre u përmirësua, ndërsa gjashtë dasmorët e tjerë vijojnë të qëndrojnë në repartin e infektivit.
Mësohet se, pjesa më e madhe e dasmorëve që ishin të pranishëm në banket janë helmuar nga ushqimi që kanë konsumuar në lokalin ku zhvillohej dasma, por nuk dihet konkretisht se nga cili produkt ka ardhur helmimi.
Personat e helmuar kanë shfaqur probleme shëndetësore pak orë pasi kishte përfunduar ceremonia. Sipas dasmorëve që pësuan helmim ushqimi, ata kanë shfaqur probleme shëndetësore duke nisur nga pasditja e së hënës.
Pacientët shprehen se kanë qenë në dasmë dhe ushqimi u është dukur i mirë, gjithashtu ata nuk shprehin rezerva as për kushtet higjienike të restorantit, por shumë shpejt janë ndierë keq.
“Nuk e dimë se çfarë ndodhi. Ushqimi na u duk i mirë. Pas disa orësh filluan problemet shëndetësore: diarre dhe të vjella. Kemi dy-tri ditë këtu dhe tani jemi pak më mirë nga ana shëndetësore”, u shprehën dasmorët e shtruar në Spitalin Rajonal të Durrësit për të marrë ndihmë mjekësore pas helmimit nga ushqimi në restorantin e ndodhur në Shijak.
Në lidhje me rastin në fjalë, Drejtoria e Shëndetit Publik ka nisur inspektimin e lokalit ku është zhvilluar dasma.
Autoritetet shëndetësore kanë kërkuar mostra të ushqimit që kanë konsumuar dasmorët, por nga kuzhinieri i restorantit në fjalë është bërë e ditur se mbetjet e ushqimeve të konsumuara gjatë dasmës janë hedhur në plehra.
Në këto kushte, AKU ka bllokuar aktivitetin deri në daljen e rezultatit të analizave toksikologjike. Nëse do të vërtetohet se helmimi është shkaktuar nga ushqimi në ceremoninë festive, pritet që të merren masa administrative ndëshkuese ndaj pronarit të lokalit, i cili aktualisht po procedohet në gjendje të lirë.
Gjithashtu, lidhur me këtë ngjarje autoritetet e Spitalit të Durrësit kanë lajmëruar edhe Drejtorinë e Higjienës për të parandaluar përsëritjen e një ngjarjeje të tillë.
“Më datë 13.08.2017, në Shijak, në një lokal, në pronësi të shtetasit Dh.K., 57 vjeç, banues në Shijak, në një dasmë janë helmuar shtetasit E.J., E.J., Dh.J., T.J., Q.K. e B.C., 55, 32, 42, 49, 57 e 43 vjeç, banues në Durrës, të cilët ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për vlerësim, e cila po zhvillon hetime intensive për të zbardhur ngjarjen e rëndë”, sqaroi zyrtarisht Policia lidhur me ngjarjen.
“Ishim 24 krushq, pjatat e higjiena na u dukën të rregullta”
Elton Jaupllari, njëri prej dasmorëve, tregon se si përfunduan krushqit dhe një pjesë e dasmorëve në spital. Sipas tij, gjithçka ka nisur pak orë pas përfundimit të banketit, i cili u zhvillua në një lokal në zonën e Shijakut. Ai shprehet se nga ana higjienike, si edhe nga paraqitja e ushqimit, nuk pati asnjë dyshim se mund të përfundonin të helmuar.
Elton, nga dasma në spital. Si ndodhi?
Nuk i çfarë të them. Ishim në dasmë ditën e diel dhe pasi përfundoi banketi, një pjesë e mirë e dasmorëve përfunduan në spital me probleme shëndetësore.
Juve ishit krushq?
Po. Ishim rreth 24 krushq dhe thuajse të gjithë përfunduam në spital. Pra ne, siç thuhet, e kthyem vizitën. Ne jemi njerëzit e nuses dhe kishim shkuar te dasma e dhëndrit. Në fakt nuk ndjemë shqetësime shëndetësore vetëm ne krushqit, por edhe një pjesë e dasmorëve të tjerë.
Si mendoni, çfarë mund ta ketë përkeqësuar shëndetin tuaj?
Nuk di çfarë të them, ndoshta ushqimi. Lokali ishte shumë i pastër dhe ushqimi shumë i mirë, por tani nuk di çfarë të them. Ndoshta ushqimi, ose ndonjë pije. Prej tri ditësh ndodhemi në spital. Ishim në gjendje të rëndë, por falë ndihmës së mjekëve duket sikur jemi pak më mirë sot (dje).
Me çfarë simptomash u paraqitët në spital?
Pak orë pasi përfundoi banketi, nisën shqetësimet e para. Fillimisht temperaturë, diarre dhe të vjella. Kur pamë se kjo simptomë po i prekte të gjithë krushqit që ishin, ne iu drejtuam menjëherë spitalit.