Gazetari Artan Hoxha tha në rubrikën “Opinion” se nga hetimet nuk ka rezultuar që të ketë qenë pluhur kimik ai që bëri që 140 persona të kërkonin mjekim në spital, mes tyre edhe kreu i PD-së, Basha.
Sipas tij impakti negativ tek qytetarët që ndodheshin rreth podiumit, mbi të cilin qëndronte Basha, mund të ketë ardhur nga prozhektorët.
“Ishte një ngjarje e rëndë për pasojat që pati. Ishte mitingu hapës për partinë më të madhe të opozitës. Numri i personave që kërkuan ndihmë mjekësore ishte 128, nga të cilët 10 janë shtruar. Mes të dëmtuarve ishte dhe Basha, prandaj situata ishte akoma më e rëndë. Grupi i personave që u dëmtuan ishin shumë afër podiumit të Bashës. Dëmtimi ka ardhur në të gjithë rethin që qëndronte rrotull podiumit. Kjo ka rritur dyshimin që dëmtimi ka ardhur nga diçka që është përdorur tani. Është thirrur dhe ushtria për këtë çështje. Është parë nëse ka pasur ndonjë rrezatim. Por nuk ishte kështu. Ende nuk ka rezultuar një element i tillë për një pluhur kimik. Dëmtimet e personave që kanë kërkuar mjekim, kanë qenë në pjesët e zbuluara, në fytyrë, e gjymtyrë. Nëse do kishin pasur syze ose krem, nuk do dëmtoheshin. Kjo na çon në përfundimin se kemi të bëjmë me rrezatim. Prozhektorët kanë diçka të veçantë. Kur saldatori saldon, drita është shumë e fuqishme dhe të jep dëmtime në sy, pas disa orësh. Po nëse qëndron për kohë të gjatë para saj, shkakton djegie. Besohet se përbërësit e prozhektorit kanë të njëjtët elementë si drita e saldimit, por akoma më të fuqishëm, dhe kur qëndron përpara tij për kohë të gjatë, të jep pasoja,” tha Hoxha.
(M.D/Shuplaka)