Një 36-vjeçar kosovar rrezikon të kalojë 11 muaj në burg pasi akuzohet se nëpërmjet pëllumbit të tij “kamikaz”, ka mbytur një lloj skifteri të mbrojtur rreptësisht me ligj në Zvicër.
Sipas autoriteteve zviceriane, 36-vjeçari i cili është kultivues amator i pëllumbave, është një urrejtës i skifterëve të përmendur.
Sipas ekspertizës, skifteri kishte ngrënë një pëllumb të lyer me një materie me helm të fortë. Kështu shqiptari nga Kosova dyshohet të jetë vrasësi i skifterit përmes pëllumbit të tij “kamikaze” të cilin e ka lyer me një helm të fortë, për ta përdorur më pas si karrem për skifterin.
Prokuroria akuzon kosovarin se në mars të vitit 2016 i ka vendosur një pëllumbi të tij helmin e përmendur në qafë dhe në pjesën e gjoksit. Pastaj e ka lëshuar atë të fluturojë në mënyrë që të sulmohet nga skifteri. Por, sipas akuzës, pëllumbi është kapur para se të bëhet viktimë e ndonjë skifteri shtegtar ose ndonjë zogu tjetër grabitës. Në mënyrë që pëllumbi i përdorur si karrem të mos kthehej sërish te tufa e pëllumbave, ai e ka mbyllur kotecin e tyre.
Mediat lokale raportojnë se prokurorja e çështjes ka kërkuar dënim me 11 muaj burg me kusht dhe një gjobë prej 1500 frangash si dhe pagesën e shpenzimeve procedurale prej 8000 frangash.
Mësohet se ky është procesi i dytë gjyqësor që zhvillohet në Zvicër me këtë tematikë. (D.D/Shuplaka)