Nusja e cila helmoi vjerrën, Elda Tanushi, ka udhëtuar nga Tirana drejt Dibrës, konkretisht për në fshatin Zallë Reç, vetëm pak orë pas lirimit nga Gjykata e Krimeve të Rënda.
Prindërit e saj kanë qenë të vetmit që e kanë mbështetur, ata e kanë marrë 19-vjeçaren në shtëpinë e tyre për të mos e kthyer më në familjen e bashkëshortit të saj, shkruan “Panorama”.
Baba I vajzës është shprehur se priste që dhëndri ta merrte nusen me vete në Greqi dhe jot a linte në shtëpi me vjerrin e vjerrën.
Për ngjarjen e ndodhur nuk ka munguar as interesimi i administratorit të kësaj njësie, Erald Troci. Ai e ka telefonuar të zotin e shtëpisë, Baftjar Tanushin, nga ku i ka marrë informacion në lidhje me gjendjen shëndetësore të vajzës, si dhe i ka ofruar ndihmesë në rast se do të ishte e nevojshme.
“Kam pasur një telefonatë me babain e vajzës, ku mora informacion nëse kanë ndonjë nevojë. Më tha se vajza nuk është keq nga ana shëndetësore, por është ende e tronditur për atë që ndodhi. Familja mohon që vajza e tyre të ketë bërë keq. Arrestimi i ka shqetësuar të gjithë. Tani që Elda u lirua, më thanë se janë më të qetë. Vajzën po e mbajnë afër”, është shprehur administratori Troci.
Sipas tij babai është shprehur se vajzën do ta mbajë në shtëpi.
“Vajzën do ta mbaj në shtëpi. Çfarë të hamë ne le të hajë edhe ajo, megjithëse të ardhurat tona janë zero”, është shprehur Baftjar Tanushi, sipas administratorit.
Banorët e fshatit shprehen se kanë qenë kushtet e vështira ekonomike që e shtynë këtë familje të martonte vajzën në një moshë kaq të re.
“Jetojnë në varfëri. Veç prindërve, janë tri motra, një vëlla dhe gjyshja. Askush nuk ka një rrogë në familje, pasi zona është e largët dhe këtu nuk ka mundësi punësimi, veçse të merresh me blegtori”, është shprehur një banorë I zonës. (B.H/Shuplaka)
Discussion about this post