Analisti Henri Çili ka bërë një përmbledhje të aktualitetit politik si dhe ecurinë e qeverisjes të drejtuar nga kryeministri Rama. Henri Çili thotë se vetëm tregu mund ta shpëtojë Shqipërinë dhe fatin politik të kryeministrit.
Po ashtu Çili, i njohur për mbështetjen e tij ndaj Edi Ramës në zgjedhjen e tij në mandatit e dytë, thotë që qeverisja ka tre ngecje.
E para sipas tij është Reforma në Drejtësi, Reforma në Administratë dhe të gjitha shpresat për një impuls ekonomik nga paratë e ekonomisë gri apo të zezë, jo vetëm që kanë rezultuar problematike, por ato janë kthyer në një pengesë jashtëzakonisht të madhe dhe kanë goditur konkurrencën dhe funksionimin e disa tregjeve të tjera..
SHKRIMI I PLOTË:
Në vitin 1995, Shqipërinë e vizitoi presidenti konservator gjerman, Roman Herzog. Gjatë bisedës, nga takimi me presidentin e parë të Shqipërisë demokratike, Sali Berisha, thuhet se, ai i tha: “Sali, sa jeni në fillim, bëjeni tregun. Gjermania nuk e bëri dot tregun”.
Ky vizion prej konservatori të djathtë gjerman, duket si një profeci e papërmbushur tani që po nisim vitin e 28-të të tranzicionit, ku sistemi ynë ekonomiko-politik ka ngecur në një emërues të përbashkët: kudo nuk po krijohet, ose nuk po liberalizohet dot ose po bllokohet tregu.
Kudo në të gjithë sektorët kryesorë të ekonomisë, duket se ka një gjendje ngecjeje, bllokimi, herë me natyrë ligjore, herë me natyrë monopoliste, herë me natyrë të prezencës së shtetit në sektorë të caktuar.
Por, e përbashkëta është: nuk ka garë, treg dhe meritokraci. Nuk ka shërbime të liberalizuara.
Pikërisht kjo, ndoshta, është sfida qeverisëse e Edi Ramës në mandatin e dytë, në vitin 2018. Kryeministri shqiptar, tashmë në vitin e pestë të pushtetit, i njohur për shprehjen lapidare, “ne do të bëjmë shtet”, është sot në lakun e fjalisë së tij: Nuk është ndërtuar dot një shtet në funksion të tregut dhe të zhvillimit. Jemi, në një gjendje amorfe, kalimtare midis dy formave; nga njëra anë vazhdon inercia puniste administrativiste, etatiste, e një administrate të krijuar me mballoma të kohës dhe qeverive të ndryshme, apo reformave të ndryshme të lëna përgjysmë dhe, nga ana tjetër, kemi një diskutim të kryeministrit – të nisur sidomos në fillim të këtij mandati – për reformimin, për thjeshtim dhe krijimin e kushteve për mirëfunksionimin e tregjeve.
Viti 2017 u mbyll me ndjesinë e bllokimit. Epiteti më i përshtatshëm për këtë vit, ishte termi bllokim: gjithçka ishte e bllokuar. E bllokuar duket Reforma në Drejtësi, e bllokuar reformimi, thjeshtimi i administratës, e bllokuar funksionimi i shumë tregjeve. E bllokuar duket iniciativa për të reformuar gjendje e nivele të caktuara në shoqërinë shqiptare, nisur nga pronat, legalizimet, nga reforma në arsim tek ajo në shëndetësi. E bllokuar duket gjithçka.
Kryeministri Edi Rama, i cili shënjoi një mandat të parë mbi një koncept ambicioz, modernizimi dhe reformizmi, duket se në vitin e pestë të tij, ka humbur energjinë transformuese.
Problemet gjeopolitike, ndërkombëtare, juridike, të qeverisë e të kabinetit të administratës së tij si dhe një “koktej Molotov” kundërtendencash ndaj ideve të tij reformuese, të cilat është shumë e vështirë të zbresin deri poshtë në nivel ministrash, jo më të bëhen pjesë e administratës dhe praktikës së shqiptarëve, janë gjithsesi një përgjegjësi e tij.
Cilat janë, të paktën, tri ngecjet kryesore të Edi Ramës sot?
Ngecja e parë dhe më e rëndësishme është Reforma në Drejtësi, dhe tashmë, që prej votimit të plotë të të gjitha akteve të saj, dhe marrëveshja Rama-Basha, e ka kthyer dhe vënë Edi Ramën dhe mazhorancën në projektorët e plotë të ndriçuar se çfarë vullneti ka ai për ta zbatuar sa më shpejt e më saktë, dhe brenda frymës së saj, Reformën në Drejtësi.
Gjërat zvarriten, shtyhen, transformohen aq sa ambasadorët dhe partnerët ndërkombëtarë, e kanë vënë në dyshim vullnetin e shumicës, për të zbatuar Reformën në Drejtësi. Kjo krijon apriori ngecjen e përgjithshme, të shoqërisë.
Së dyti, reforma që nisi Edi Rama me reformimin e administratës shqiptare, shkurtimin, thjeshtësimin, e modernizimin e saj, jo vetëm që ka ngecur, dhe askush nuk e di realisht se kujt ministrie e institucioni i përket dhe ku do shkojë, cili do shkurtohet, dhe cili do qëndrojë dhe për çfarë arsye…ka krijuar një paralizë të përgjithshme, dhe gjendja e administratës shtetërore sot është në pikën më kritike që ka qenë ndonjëherë. As struktura e vjetër dhe as struktura e re nuk funksionon.
Por mbi të gjitha, ajo që është më e rëndësishme është fakti që ende shumë prej sektorëve mbeten pa u futur në treg ose pa u futur në një ritëm që i përgjigjet shoqërisë së lirë, kapitalizmit apo frymës liberalizuese që është e vetmja që mund të prodhojë një rezultat për Shqipërinë.
Sektorë të tërë, me përpjekje modeste apo deklarative, tregjet e utiliteteve, si: arsimi, shëndetësia, prona, pasuritë e paluajtshme e kështu me radhë nuk kanë krijuar as parakushtet bazë për të kaluar nga sektorë në treg, për të prodhuar shërbime më të mira, më të lira, më realiste e më cilësore për qytetarët. Për më tepër mosreformimi i këtij grupi sektorësh që mund të quheshin tregjet e modernitetit, praktikisht e kanë bllokuar mirëfunksionimin e shoqërisë shqiptare si një shoqëri e mbështetur kryesisht te shërbimet dhe të ardhurat e emigracionit.
Sikur të gjitha këto të mos mjaftonin, dy lajme të tjera janë më të këqija. Investimet e huaja, nuk po vijnë (e natyrshme pse nuk po vijnë) dhe remitancat dhe paratë e tranzicionit ku kemi kaluar gjysmën e brezit të dytë të emigracionit, nuk po sjellin më të njëjtën shumë në Shqipëri, sa ç’kishte më parë.
Dhe e fundit, të gjitha shpresat për një impuls ekonomik nga paratë e ekonomisë gri apo të zezë, jo vetëm që kanë rezultuar problematike, por ato janë kthyer në një pengesë jashtëzakonisht të madhe dhe kanë goditur konkurrencën dhe funksionimin e disa tregjeve të tjera.
Shkurt, ekonomia gri, e zezë apo më keqja, kriminale, është strukur për shkak të presionit ndërkombëtar dhe Reformës në Drejtësi, e cila nuk po prodhon më efekt në shoqëri.
Po ashtu, nga goja e vetë kryeministrit, perspektiva e lodhur e integrimit, e bllokuar shpesh nga kriza politike, apo konteksti rajonal dhe gjeopolitik, jashtë nesh, ka pak ose aspak energji për ta ndryshuar gjendjen e Shqipërisë në këtë mandat.
Ka vetëm një shpresë, tregu. Krijimi i tregjeve dhe mirëfunksionimi i tyre është i vetmi që ka ende një potencial për zhvillimin e Shqipërisë, është i vetmi që ka ende një potencial t’i sjellë Shqipërisë një bilanc.
Ndaj në vitin e pestë të mandatit të tij, në vend që t’iu hyjë llogarive meskine politike, Edi Rama me guxim, mund dhe duhet ta kërkojë rritjen ekonomike, zhvillimin e vendit, pikërisht tek energjia e tregut. Në vend që të jetë pre e veprimeve administrativiste dhe etatistëve të administratës së tij nga niveli i ministrave e poshtë, duhet të mbështetet te reformat e tregut për të thithur realisht një nivel të ri të investimeve të huaja.
Në vend që të besojë tek ofrimi i shërbimeve publike prej operatorëve shtetërorë apo publik të pareformuar, duhet t’i fusë ato në treg në mënyrë të barabartë, me të gjithë entet e tjera për të përfituar një mirëfunksionim, për të përfituar nga krijimi e zhvillimi i tregjeve, një produkt sa më të mirë, me çmim sa më të ulët për konsumatorin që vetëm konkurrenca mund të sjellë.
Nuk ka asnjë paradigmë veç asaj të tregut për mazhorancën e sotme, e cila e harxhoi me shumë kosto për shoqërinë shqiptare “fishekun” e modernizimit, të cilit tashmë i ka shteruar energjia.
Krijimi dhe elaborimi i tregjeve është e vetmja mundësi që sjell impuls të ri të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë, dhe të shoqërisë shqiptare në tërësi, është e vetmja nga i cili kryeministri Rama mund të krijojë një bilanc.
Sa më shumë të hezitojë në këtë rrugë, aq më tepër ai do të përpëlitet në skemat e ngjashme, në autombrojtje, në mbrojtje me anë të PR, zyra avokatie të mazhorancës për subjektet nga radhët e saj që janë objekt i Reformës në Drejtësi, apo nga një lloj demagogjie e cila edhe pse është etiketuar bukur në marrëdhëniet ose nga kompromiset jo parimore, që mund të bëjë me aktorë, faktorë të shoqërisë për të ruajtur mazhorancën apo për të menduar për një mandat të tretë.
Të tria këto elemente kanë pak ose aspak energji, dhe zor se do t’i sjellin dot Edi Ramës një bilanc, një rezultat, përveçse ai bilanc që mund t’ia sillte tregu me energjinë potenciale që ai ka në vetvete. Rrugët e tjera kanë shteruar.
(E.K/Faxweb)