Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësimin lidhur me vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për heqjen e dinarit serb, duke u shprehur se ky vendim mund të ketë pasoja në jetën e përditshme të serbëve në Kosovë.
Sipas BE-së nuk ka pasur konsultime paraprake për ndikimin që mund të ketë në spitale dhe shkolla, duke pasur parasysh “mungesën e alternativave në këtë moment”.
“BE-ja vë në pah se kjo rregullore do të ndikojë po ashtu në mbështetjen financiare që marrin serbët e Kosovës nga Serbia”, u tha në deklaratën e lëshuar nga Bashkimi Evropian më 1 shkurt.
BE-ja i bëri thirrje Kosovës që të ofrojë një periudhë të gjatë tranzicioni dhe “të gjejë një zgjidhje të negociuar për këtë çështje në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar” nga blloku.
“Periudha e shkurtër kohore e tranzicionit për zbatimin e rregullores, së bashku me mungesën e informacionit dhe zgjidhjeve praktike për të gjitha komunitetet e prekura, rrezikon që të ndërlikojë seriozisht jetën e tyre”, tha BE-ja.