Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti të enjten në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, ku diskutuan për shumë çështje, përfshirë edhe Rregulloren e re të BQK-së, e cila ndalon përdorimin e dinarit serb.
Sipas Presidencës, në takim, Osmani dhe Hovenier i kushtuan vëmendje të veçantë propozimeve që ofrojnë zgjidhje të qëndrueshme për planin e tranzicionit për zbatimin e kësaj rregulloreje.
Në një njoftim zyrtar, thuhet: “Duke diskutuar për aspekte të ndryshme të bashkëpunimit bilateral, Presidentja Osmani theksoi mirënjohjen e thellë për mbështetjen e SHBA-ve për sovranitetin, kushtetueshmërinë dhe integritetin territorial të Kosovës.”
Takimi gjithashtu shënoi biseda për bashkëpunimin në agjendën ndërkombëtare për muajt në vijim, si dhe për fushën e bashkëpunimit në mbrojtje.