Heqja e taksës së tatim fitimit për biznesin e vogël deri në vitin 2029 do të bëjë që të rriten taksat për biznesin e madh. Këtë e ka konfirmuar kryeministri Rama në fjalën e tij për tregjet e kapitalit duke sqaruar se nuk i druhet faktit se kompanitë e mëdha do të largohen nga Shqipëria për shkak të taksave.
Ndër të tjera kritikon sërish ndjekësit që rrinë në Facebook pjesën më të madhe të ditës duke u ankuar nëpër komente, në vend që ti shtrohen punës.
“Oligarkët paguajnë taksa më shumë se më parë, këtë e di unë por faleminderit që e konfirmuat edhe ju. Fatkeqësisht ju që merreni me aritmetikën e vërtetë nuk ju nxjerrin shumë në televizor për komente por nxjerrin ata që s’dinë artimetikë kështu që edhe njerëzit ngatërrohen.
E vërtetë është, paguajnë taksa më shumë se më parë por nuk shohim si një konseguencë të çlirimit të plotë të biznesit të vogël që të mëdhenjtë të ikin fare nga Shqipëria se s’do ti lërë biznesi i vogël të bëjnë evazion. Nuk e besoj, nuk më duket kështu, megjithatë kjo do bëhet.
Shqiptarët punëkrijues që nuk rrinë në Facebook dhe kërkojnë përmes komenteve gjëra nga më të çuditshmet apo ata që nuk ankohen dhe qahen gjithë ditë, meritojnë të gjithë respektin, jo vetëm me fjalë por edhe mbështetje konkrete të qeverisë. Ata që janë në Tiranë, në majë të malit apo në fund të hartës së biznesit duan të ndërtojnë ekonominë e tyre familjare do të jenë drita e syve të qeverisjes sonë deri në 2029”, tha Rama.(A.M/Faxweb.al)