Ish kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako është arrestuar me urdhër të SPAK i akuzuar për shpërdorim detyre, korrupsion detyre dhe falsifikim dokumentesh.
Dhënia e lejes së ndërtimit për një pallat 11 vite më parë në lagjen nr. 5 të Durrësit është bërë shkak për arrestimin e ish-kryebashkiakut socialist të Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako dhe ish-zyrtarët e tjerë të kësaj bashkie.
Pallati pësoi dëmtime pas tërmetit të nëntorit të vitit 2019. Pas hetimeve të nisura nga SPAK një vit më parë, u gjetën shkelje nga ana e ish kryebashkiakut Vangjush Dako dhe disa prej ish-zyrtarëve të tjerë.
Kanë qenë banorët e këtij pallati që kanë kallëzimin ndaj Dakos por edhe ish zyrtarëve të tjerë të bashkisë së Durrësit.
Gjithashtu mësohet se hetimi i SPAK për Dakon është shtrirë edhe në verifikimin e pasurisë duke kërkuar verifikime nga institucione të ndryshme.
Ndërkohë bëhet me dije se hetuesit dhe efektivët e policisë ndodhen në banesën e Dakos për kontroll.
Sakaq avokati i tij Petrit Ismaili ka mbërritur në drejtorinë e policisë Tiranë, ku pritet të takohet me klientin e tij.