Partia Demokratike përmes sekretarit për çështjet ligjore, Gazment Bardhi ka bërë publik njoftimin që ka mbërritur në selinë blu lidhur me hetimet për kreun e bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku.
Bardhi tha se në njoftimin e mbërritur në PD nga ana e Prokurorisë, kjo e fundit konfirmon të gjitha akuzat e ngritura dhe se gjithashtu, Jorgo Toto dhe Agim Kajmaku janë i njëjti person.
“Me ndihmën e Edi Ramës, Agim Kajmaku u përpoq të vijonte mashtrimin publik duke thënë se ishte person i ndryshëm me atë që denoncuam ne. Provat e pakundërshtueshme, jo vertëm me foto, por pikërisht Agim Kajmaku kandidat për bashkinë e Vorës nuk u pranuan.
Sot Prokuroria ka provuar si plotësisht të vërtetë atë çfarë ka denoncuar PD. Në njoftimin e mbërritur pak më parë nga Prokuroria në PD, rezulton se nga informacionet e Interpol Athinë, nga krahasimi i gjurmëve të gishtërinjve, ka përputhshmëri të plotë me ato të shtetasit Jorgo Toto. Më tej Prokuroria ka sqaruar se, nga verifikimet e kryera, është provuar se Agim Kajmaku dhe Jorgo Toto është i njëjti person.
Prokuroria deklaron në këtë njoftim, konfirmon se ndaj Kajmakut kishte një proces gjyqësor penal në Athinë dhe ka dalë para gjykatës greke dhe i është vënë në dukje vepra e tij. Rezulton gjithashtu sipas Prokurorisë se, Kajmaku ka fshehur ngjarjen, jo vetëm duke ndryshuar emrin, por edhe nuk e ka deklaruar këtë gjë”, tha ndër të tjera Gazment Bardhi.
(F.GJ/FAXWEB.AL)