Kreu i SPAK Altin Dumani ka zhvilluar një takim me gazetarët duke u ndalur te disa nga çështjet e “nxehta” në vend, duke nisur që nga hetimet për ish zv.kryministrin Arben Ahmetaj, tek çështja e McGonigal apo edhe tek inceneratorët.
Sai takon Ahmetajt, kreu i SPAK ka thënë se në kontrollet në banesat e ish gruas dhe partneres aktuale, janë gjetur prova dhe se janë në verifikim e sipër. Dumani ka thënë se do ta thërrasin Ahmetajn në SPAK nëse do të jetë e nevojshme. Hetimi përfshin cdo gjë ka thënë Dumani, përfshirë edhe pasurinë e tij.
Sa i takon aferës së Mc Gonigal, Dumani ka thënë se prokuroria nuk jep njoftim kur po heton njerëz.
Sa i takon Stela Gugallja, e perfshire ne aferen e inceneratorëve, ai është shprehur se nuk ka një përgjigje zyrtare nga autoritetet austriake. “Thjesht dimë që ka një proces ekstradimi, por nuk dimë për vijimin e tij pasi janë autoritete të tjera që merren me procedurat”-mësohet të ketë thënë Dumani.
Sakaq duke u ndalur te inceneratori i Tiranës, Kreu i SPAK i është përgjigjur se pse nuk po sekuestrohet. Ai ka thënë se i takon prokurorit të cështjes. Dumani tha se po kryen shumë hetime të cilat janë intensive.
Dumani është pyetur edhe në lidhje me Ervis Martinajn, të zhdukur që prej muajit gusht të vitit të kaluar dhe nëse ka “gisht” në atentatin te Don Bosko, ku humbi jetën aksidentalisht një grua.
Deri në këto momente, mësohet se nuk dihet nëse ngjarja e rëndë në lokalin në pronësi të Fation Muratit, ka “lidhje” me Ervis Martinajn, i cili është shpallur i zhdukur.
“Unë jam prokuror dhe nuk mund të them se me episodin e “Don Boskos”, “u ngjall” apo “nuk u ngjall” Ervis Martinaj” mësohet të ketë thene Dumani.
Ai tha se po bëhen hetimet dhe kanë edhe pistat sa i takon ngjarjes së rëndë.
Ndërkohë sa i takon ish efektivit Jeton Lami, i cili ka qenë një ndër personat që ka ndihmuar Martinajt, ai tha se ka vendosur që të “kyç” gojën duke mos ndihmuar hetimet.
Sa i takon sulmit në Top Channel, Dumani tha se i kanë ofruar policisë së shtetit mbështetjen e plotë të Prokurorisë së Posaçme dhe edhe pse është një kompetencë e prokurorisë së Tiranës, do të bëjnë veprimet e tyre.
Discussion about this post