Autoritet greke kanë përfunduar ekspertizën mjeko-ligjore të Pëllumb Marinkollaj, shqiptari i cili gjeti vdekjen në një komisariat policie në Greqi në 2 gusht. Ky raport thuajse nuk ka asnjë ndryshim nga ai i përgatitur nga ekspertët shqiptarë në muajin shtator.
Sipas të dhënave, 29-vjecari nga Lezha ka gjetur vdekjen si pasojë e shembjes së trurit nga një traumë e rëndë mbi kokë.
Nga të dhënat e përfituara nga autopsia e trupit është konstatuar thyerje e kafkës , shembje e trurit, plagë në kokë, hematoma, dermishtje të kokës, trupit dhe gjymtyrëve.
Edhe ekspertët greke nuk kanë përcaktuar shkakun e saktë, se nga kanë ardhur këto dëmtime.
Por dëmtime të tilla mund të jenë pasojë e dhunës së ushtruar apo edhe e rënies nga lartësia, siç pretendon policia helene.
Ky raport tashmë ndodhet në duart e prokurorisë greke, e cila po heton edhe pistën e vrasjes.
Instituti i Mjekësisë ligjore në Tiranës sqaroi se dëmtimet janë kryer nga një mjet i forte, jo i mprehtë, por nuk përjashtoi edhe rënien e viktimës nga lartësia.
Familja e Pëllumb Marinkollaj u njoftuar për vdekjen e tij në datën 12 gusht, 10 ditë pasi kishte humbur jetën. Ata pretendojnë se i afërmi i tyre është dhunuar nga policia greke, çka ka sjellë si pasojë vdekjen e tij. Ndërkohë policia greke pretendon se 29-vjecari është vetëhedhur nga kati i katërt, i rajonit të policisë “Kato Patisia”.
Kjo për shkak se ai kuptoi se do të arrestohej për vepra të tjera penale. Marinakollaj kishte shkuar në polici për të firmosur paraqitjen e tij duke qenë se hetohej në gjendje të lirë për një vepër penale./Tv Klan