Hetimet për zbardhjen e atentatit të bërë pak ditë më parë ndaj Mariglen Hakës në fshatin Zezë të Fushë-Krujës, ku i riu mbeti i plagosur e ndërsa u vra halla e tij, duket se po marrin një rrjedhë tjetër. Pengmarrja është një tjetër pistë e ngritur tashmë nga hetuesit e çështjes.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se nga informacionet e mbledhura deri më tani, kanë dyshime se autorët ende të paidentifikuar, nuk kanë pasur qëllim vrasjen e Hakës, por marrjen e tij peng.
Të njëjtat burime sqaruan se autorët dyshohet të kenë pasur informacione të sigurta mbi lëvizjet e Hakës e që ato momente, pak para se të ndodhte ngjarja, ai ndodhej në banesë.
Por dyshimet se halla e Hakës, Shpresa Basha mund të ketë njohur ndonjë prej grupit të autorëve që ndodhej shumë pranë banesë së tij, ka bërë që ndaj tyre të qëllohet me breshëri plumbash.
Për pasojë, Objektivi Mariglen Haka mbeti i plagosur në krah, e ndërsa halla e tij ndërroi jetë në Spitalin e Traumës për shkak të plagëve të shumta të marra në trup.
Nga ana tjetër, pranë banesës së tyre, policia ka gjetur disa prova, si doreza e sende të tjera, për të cilat janë në pritje të përgjigjeve nga laboratori i Policisë Shkencore.