Prokuroria e Prizrenit është në përfundim të hetimeve për rastin e vdekjes së Astrit Deharit. Pas gati dy muaj hetimesh, Prokurori i rastit Metush Biraj i ka konfirmuar KTV-së se ata janë në fazën e përmbylljes së hetimeve. Prokurori Biraj tha se pas dëgjimit të shumë dëshmive dhe ekzaminimit të provave të ndryshme e të cilat sipas tij të çojnë në vetëvrasje.
Fundi i këtyre hetimeve po vjen në kohën kur rreth ngjarjes po zhvillohet debati nëse duhet të ketë ende një hetim ndërkombëtar, pasi mund të jenë fshehur provat. Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, paralajmëron se ai sërish me mbështetjen e familjes Dehari, do të kërkojë fillimin e hetimeve të pavarura ndërkombëtare për vdekjen e Deharit në qendrën e paraburgimit në Prizren.
Megjithatë, Gashi thotë se ditë më parë, nga Prokuroria në Prizren, ka pranuar dy raporte njëra lidhur me ADN-në e rrobave të Astrit Deharit dhe një raport të ekspertëve të psikiatërve, të cilët konstatojnë një gjendje normale psikike të Deharit. Po kështu Prokuroria Speciale e Kosovës disa ditë më parë ngriti akuzë ndaj 4 kolegëve të Deharit të cilët sipas prokurorit, në bashkëkryerje kishin kryer veprën penale terrorizëm. Por në aktakuzën 13-faqëshe, prokurori special, Abdurrahim Islami, nuk arriti asnjëherë ta saktësojë se cili nga 4 të dyshuarit e kishte goditur me raketa hedhëse objektin e Kuvendit të Kosovës në gusht të këtij viti. (J.V/Shuplaka)