Hetimi i 6 deputetëve nga rradhët e maxhorancës ka sjellë jo pak debat në skenën politike të vendit tonë. Po duket se asnjë nga deputetët deri më tani nuk i kanë pranuar këto akuza. Të 6-të ata janë distancuar nga këto akuza dhe ajo që pritet është verifikimi final i Prokurorisë.
Nëse kryeprokurori Adriatik Llalla dhe KQZ vendosin të ndërpresin mandatet e gjashtë deputetëve të cilët janë nën verifikim për shkak të procesit të dekriminalizimit, atëherë balancat brenda partive politike në koalicionin qeverisës, do të prishen.
Nëse Omer Mamo, Aqif Rakipi, Gledion Rehovica, Artan Gaçi, Armando Prenga dhe Mhill Fufi largohen, atëherë mandatet e tyre do tu pasohen emrave të tjerë në lista, duke i vendosur në pozicione të reja tre partitë e mëdha të koalicionit qeverisës, shkruan “Shqiptarja.com”.
Kjo lëvizje ndryshon ekuilibrat brenda tre partive kryesore në mazhorancë, duke dobësuar pozitat e Partisë Socialiste për shkak të shterimit të listës së kandidatëve për deputetë në disa qarqe.
Armando Prenga
Në qarkun e Lezhës Partia Socialiste do të humbasë tashmë edhe deputetin tjetër, Armando Prenga. Prokuroria e Përgjithshme i kërkoi dje zyrtarisht KQZ-së që të ndërpresë mandatin e Prengës, duke paditur dhe vetë komisionin për mbrojtjen e tij. Me shumë gjasë, KQZ do t’ia ndërpresë mandatin Prengës, sikundërse bëri edhe me Selamin e Tahirin, duke marrë të mirëqenë informacionin e servirur nga prokuroria.
Por nëse kjo ndodh, PS ka në Lezhë vetëm një kandidat në dispozicion: Kastriot Pirolin. PS ka listuar 7 emra në këtë qark, dhe ka fituar vetëm dy mandate: Mimi Kodhelin dhe Armando Prengën. Kur Kodheli u bë ministre, dorëzoi mandatin, duke i lënë kështu mundësinë të hynin në parlament gratë pasardhëse në listë. Merjeme Delishi dhe Mirela Neli të dyja nuk pranuan të merrnin mandatin, duke skualifikuar veten e tyre nga lista, e duke bërë deputet të tretin në listë, Arben Ndokën. Por edhe ky u dorëhoq prej akuzave të bëra ndaj tij për problemet e së shkuarës dhe mandati i kaloi Eduard Ndocajt. Emri tjetër, Ndrec Dedaj u bë kryetar i bashkisë Mirditë, duke e ezauruar të gjithë listën e kandidatëve dhe duke lënë vetëm një emër: atë të Kastriot Pirolit.
Por edhe ky person rrezikon të mos e marrë mandatin. Ai është gjykuar dhe dënuar të paktën nga një shkallë e gjyqësorit për shpërdorim detyre pasi ka qenë drejtor i Hipotekës së Kurbinit, madje ka bërë edhe dy muaj burg për këtë çështje. Rasti i tij është apeluar dhe nuk ka vendim përfundimtar, por nuk dihet se si do ta interpretojë KQZ dhe Prokuroria këtë çështje. Në rast se Piroli nuk e merr mandatin, atëherë, bazuar në Kodin Zgjedhor, mandati i kalon partisë më të madhe aleate. Në këtë rast mandati i kalon LSI-së, dhe për pak kohë, deri në 18 qershor, deputete bëhet Erisi Zaimi, kandidatja femër e LSI-së.
Mhill Fufi
Mhill Fufi është zgjedhur në vitin 2013 në listat e Partisë Demokratike, ku qëndroi për 3 vjet deputet. Kohët e fundit, për shkak të prishjes së marrëdhënieve të tij me Bashën, ai votoi pro mazhorancës dhe u përjashtua nga PD. Prej asaj kohe, Fufi llogaritet një votë më shumë e sigurt për PS-në. Madje për këtë favor, Rama i ka dhënë atij dy drejtori: burgun e Shën Kollit dhe drejtorinë rajonale të transportit rrugor. Në rast se ai humbet mandatin nga dekriminalizimi, e drejta e votës i kalon një emri tjetër: Blerina Zaja. Ajo është e teta në listë, por hyn për shkak të mos respektimit të kuotave gjinore. Si një njeri me lidhje të ngushta me Partinë Demokratike, vota e saj, ndryshe nga e Fufit, do të llogaritet për PD-në në opozitë dhe jo për koalicionin qeverisës. Pra, në rastrin konkret, Partia Socialiste humbet edhe një votë, duke e bërë më të ndërvarur ndaj aleatëve të tjerë, për të përfunduar mandatin qeverisës.
Omer Mamo
Në rast se në Fier PDIU humbet mandatin e deputetit Omer Mamo, atëherë, për shkak të mos respektimit të balancave gjinore, mandati i shkon kandidates së tretë në listën shumë emërore. Ajo është Brunilda Cami, e cila aktualisht mban postin e drejtores së spitalit të Fierit. Ajo është një njeri i afërt i Mamos, dhe në rast se ky i fundit humbet mandatin, marrëdhëniet e tij me Idrizin pritet të krisen, duke bërë që pasuesja e tij në parlament, të kontrollohet nga vetë Mamo dhe jo nga Shpëtim Idrizi. Vota e saj në parlament, në këto kushte nuk do të ishte krejtësisht e qartë nëse do të llogaritej apo jo për llogari të mazhorancës.
Aqif Rakipi
Aqif Rakipi është ndër deputetët më të fortë të PDIU-së dhe me influencë të madhe në Qarkun e Elbasanit. Nëse edhe ai do të jetë një viktimë e dekriminalizimit, mandati, përsëri për mos respektim të kuotacionit gjinor, i kalon të tretës në listë, Lindita Senija. Kjo e fundit po ashtu, nën ndikimin e drejtpërdrejtë nga Rakipi, mund të mos kontrollohet nga partia e tij, duke marrë në supozim zhgënjimin që Rakipi mund të ketë pas mos-garantimit të mandatit të tij nga Rama dhe Idrizi. Rrëzimi i “mitit” të Rakipit në Elbasan i jep favore Monika Kryemadhit, e cila po ashtu do të kryesojë listën e LSI-së në këtë qark. Beteja PDIU-LSI në këtë qark përcakton një mandat.
Gledion Rehovica
Me largimin e mundshëm të Gledion Rehovicës nga parlamenti, LSI rimerr në terrenin e saj të sigurt një mandat tjetër. Ftohjet e Rehovicës me Metën kanë filluar më shumë se një vit më parë, dhe së fundmi, Rehovica ishte më afër PS-së sesa LSI-së. Në këto kushte, nëse për shkak të ligjit të dekriminalizimit, KQZ dhe Prokuroria vendosin t’i ndërpresin mandatin Rehovicës, në parlament hyn Lefter Kuqo. Ai drejton një strukturë të fortë të LSI-së në emigracion dhe është besnik i Ilir Metës. Pra, me këtë lëvizje të mundshme, Partia Socialiste humbet votën e tretë në Parlament.
Artan Gaçi
Për mandatin e Artan Gaçit, gjithmonë nëse ai do ta humbasë në rast se prokuroria arrin në konkluzionin se është i prekur nga ligji i dekriminalizimit, nuk ka asnjë ndryshim mes balancave mes PS-së dhe LSI-së. Largimi i mundshëm i Gaçit do të sillte përkohësisht në parlament, Bledar Doracajn. Ai është i 19-i në listë dhe mban aktualisht detyrën e drejtorit të përgjithshëm të gjendjes civile. Ai është një njeri i besuar i partisë së tij dhe nuk sjell asnjë lëkundje balancash.