Sekretari i Grupit parlamentar i Partisë Socialiste, Ervin Bushati deklaroi gjatë një interviste për Televizionin Fax Nes se “pamjet e gomave të djegura janë pamje të papranueshme, pasi kjo sipas tij mund të ndodhë në Athinë dhe Paris dhe nuk përbën lajm, por në Shqipëri kjo bën që të gjithë ti hedhin sytë nga ne”.
Sipas Bushatit, opozita nuk dëgjon as NATO-n e as partnerët europianë.
Ai komentoi edhe hedhjen masive të gazit lotsjellës ndaj protestuesve të opozitës duke argumentuar se gazi përdoret në çdo rast të tillë, “është një masë për të parandaluar dhunën, kjo ndodh edhe në Greqi edhe në Francë. Policia është sjellë në mënyrë shumë profesionale dhe është mbështetur nga të gjithë ndërkombëtarët. Opozitën nuk e mbështet askush, më thoni një emër ministri apo diplomati të huaj që e kanë mbështetur për djegien e mandateve, përkundrazi, ata i kanë shkuar në zyrë dhe i kanë thënë se ky është një vendim i gabuar”, deklaroi Bushati.
Ai tha gjithashtu se qytetarët nuk duhet të vuajnë pengmarrjen nga opozita duke argumentuar se qeveria është zgjedhur me votë nga qytetarët për ti përfaqësuar.
Bushati krahasoi edhe çështjen e lobimit të PD-së me aferën e “DH Albania” duke thënë se çëshja e lobimit është më shqetësuese sepse sipas tij, bëhet fjalë për dikë që pretendohet të jetë në të ardhmen kryeministri i vendit.
“Basha ka shkuar në prokurori me një mandat të ardhur nga FBI. Kur të zgjidhet kjo nga vendet prej nga ka ardhur, Basha do të japë shpjegime. Do të sqarojë se pse i ka marrë këto para nga Rusia. Nëse Basha është një kukull që financohet nga Rusia është një problem shumë i madh, sepse pretendohet të bëhet kryeministër nesër, ndërkohë që “DH Albania” nëse ka bërë shkelje le të provohet nga drejtësia dhe gjykohet nga drejtësia duke marrë pasojat. Mua më shqetëson çështja që ka të bëjë më personin që drejton opozitën dhe që pretendon të bëhet kryeministër”.
Duke ju përgjigjur pyetjes rreth shkarkimeve të bëra së fundmi nga Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj se a kanë lidhje me deklaratat e opozitës se një pjesë e tyre shfrytëzojnë postin për të bërë shkelje për përfitime, Bushati u përgjigj: “opozita mund të thotë gjithçka, për detaje rreth kësaj teme mund të pyesni përfaqësues të Ministrisë së Jashtme por nuk mund të themi se kjo është një fshesë”.
Gjatë intervistës u fol edhe për hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. “Shqipëria është përshëndetur nga të gjithë partnerët për Reformën në Drejtësi. Është parë nga të gjithë si reforma kryesore për tu afruar me Europën, për arsye të brendshme politike dhe qëndrimit të dy vendeve europiane është shtyrë. Ne si sinjale pozitive shikojmë deklaratat që kanë ardhur, dhe ne besojmë se në qershor do ta marrim ftesën për hapjen e negociatave”.
Ervin Bushati deklaroi se Reforma në Drejtësi është frika e të gjithë opozitës, dhe kjo sipas tij “është mbase edhe arsyeja kryesore për të cilën ata kanë dalë në rrugë për të protestuar”. Ndërkohë për deputetët e rinj, ai ka fjalët më të mira duke i quajtur ata njerëz të përgjegjshëm dhe më vlera që sipas tij “e kuptojnë se për interest e 4-5 vetave kanë vendosur të mbështesin interest e Shqipërisë”.
https://www.facebook.com/faxweb.al/videos/1510111545789831/
(F.GJ/FAXWEB.AL)