I ftuar në Fax News këtë paradite ishte Arjan Hoxha, ish-drejtues policie. Me gazetarin Albi Rakip, Hoxha foli për mega-operacionet policore të ditëve të fundit, ku u ndal tek arrestimi i mbi 200 shpërndarësve të drogës si dhe te rasti i fundit me të penduarin e ri të drejtësisë, Altin Tafani.
Hoxha shprehet kundër trumbetimeve për show-mediatik të këtyre operacioneve. Sipas tij, interesi i shoqërisë është për më shumë siguri. Shpërndarësit e drogës që u kapën do të zëvëndësohen me disa të tjerë. Pra e rëndësishme është që t’i shkohet hetimit deri në fund dhe atëherë mund të dalin dhe të mburren.
Është faktike për ish-drejtorin, që të zbardhen të tilla ngjarje kriminale, si ato të grupit të Laert Haxhisë, duhet pritur me dhjetëra vite dhe duhet me patjetër të pendohet dikush që drejtësia të zbulojë se çfarë ka ndodhur me të vërtetë.
Arian Hoxha: “Duhet të presim disa vite, me dhjetëra vite që një pjestar i grupit kriminal, që prej qautorëve bashkëpunëtorë prej këtyre autorëve të pendohet që ne të shkojmë drejt zbulimit kur ata ta marrin dënimin me vendim gjykate të formës së prerë. Ne shikojmë shpesh raste që vërtetë e trumbeton policia apo organi i prokurorisë me forcë në momente të caktuar në të cilat ndodhet qeverisja, siç ishte vizita e fundit i ministrave të brednshëm të Bashkimit Europian. U zgjodh pikërisht ajo ditë për të trumbetuar me arrestimin e 200 e ca shpërndarësve të drogës. Në të vërtetë ai nuk është një operacion i mirëfilltë i policisë, nuk është goditur truri organizativ, njerëzit që në të vërtetë mund të organizojnë trafikimin e lëndëve narkotike. Janë goditur disa individë dhe zëvëndësohen me disa të tjerë. Jam kundër populizmave në raste vetëm për të bërë show mediatik kështu si produkt në momentin e parë. Interesi i shoqërisë, interesi për një shoqëri më të sigurtë nga këto grupe kriminale është kur i shkohet hetimit deri në fund dhe në moment që sigurojmë të gjitha provat atëherë mund të dalin edhe të mburren. Me këto prova që janë siguruar, as Leaert Haxhiu dhe as i penduari dhe as persona të tjerë të këtij grupi kriminal nuk do të kenë asnjë mundësi t’i shpëtojnë drejtësisë dhe do të ketë pasoja nga veprimet e grupit kriminal që ata kanë zhvilluar.”