Himariotët i drejtohen sot kutive të votimit për zgjedhur kryetarin e ri të bashkisë së tyre, 15 muaj pasi zgjodhën Fredi Belerin, i cili u dënua me dy vite burg për blerje votash. Këto zgjedhje pritet t’i japin fund sagës së një bashkie pa kryetar, pas arrestimit të Fredi Belerit, e më pas edhe të kryetarit të detyrë Jorgo Goro.
23 mijë e 74 qytetarë të Himarës janë thirrur t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur mes dy kandidatëve, Vangjel Tavo i socialistëve dhe Petro Gjikuria i opozitës.
qendrat e votimit jane hapur ne oren 7 te mengjesit dhe do te qendrojne deri ne oren 19. Socialistët garojnë në këto zgjedhje me Vangjel Tavon, ndërsa opozita, pas diskutimeve të shumta për emrin me një shqiptaro-amerikan, minoritar grek si Petro Gjikuria. Të dyja janë minoritar grekë, ndërsa mbetet për t’u parë nëse vota e minoritarëve do të ndahet apo jo.
Petro Gjikuria është një dhërmjot, me vetidentifikim grek, i emigruar herët, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Edhe Vangjel Tavo është minoritar, por me një karrierë më të gjatë politike në Shqipëri. I zgjedhur deputet vazhdimisht prej vitit 1996 deri në zgjedhjet e fundit parlamentare, duke përfaqësuar fillimisht Dropullin, e më pas të gjithë rrethin e Gjirokastrës.
Gjikuria u prezantua zyrtarisht si kandidat i partive opozitare më datë 17 korrik, gjatë një tubimi elektoral me banorë të zonës. Ndërsa emri i Vangjel Tavos ishte lakuar më herët, por kandidatura e tij u zyrtarizua pasi hoqi dorë nga detyra e Prefektit të qarkut Vlorë.
Edhe pse kandidatët janë përpjekur që fushatën ta bëjnë lokale, me zgjidhje për problematikat e vogla apo të mëdha të banorëve, veçanërisht prona, jo pak i shohin këto zgjedhje si referendum dhe shumë politike.