Një 38-vjeçare është arrestuar nga policia, pasi akuzohet se ka droguar një nënë, me qëllim për t’i rrëmbyer fëmijën e saj.
Policia e Uashingtonit vuri në pranga Juliette Parker dhe vajzën e saj 16-vjeçare në shtëpinë e tyre në Spanaway, pas denoncimit nga një grua.
Gruaja që e denoncoi thirri shërbimet e urgjencës më 5 shkurt për të kërkuar ndihmë mjekësore, pasi kishte të vjella, mpirje dhe përgjumje.
Pas trajtimit në spital, ajo kontaktoi Departamentin e Policisë për të denoncuar 38-vjeçaren, duke pretenduar se kjo e fundit kishte bërë një postim në rrjetet sociale, ku reklamonte se ofronte foto falas të bebeve të porsalindura, për të krijuar një album fotografik.
Mirëpo Juliette Parket nuk është një figurë e panjohur. Ajo kandidoi në vitin 2019 për kryetare bashkie në Colorado Springs.
Nëna e re pranoi që Parker të vinte në shtëpinë e saj për t’i bërë fotografi fëmijës së saj të vogël.
Parker vizitoi shtëpinë e denoncueses tre herë. Gjatë vizitës së tretë, 38-vjeçarja solli në shtëpi edhe vajzën e saj 16-vjeçare dhe i dhanë gruas një kek.
Denoncuesja tha se pasi konsumoi kekun filloi të ndjehej e përgjumur, dhe ju kërkoi të dy grave të largoheshin.
Pasi ato u larguan, nëna zbuloi se Parker kishte vjedhur çelësat e shtëpisë së saj.
Policia ka nisur një hetim dhe i dhuroi denoncueses para për të blerë brava të reja dere si dhe i siguroi mbrojtje.
Parker u arrestua me një sërë akuzash kundër saj, përfshirë sulmin dhe tentativën e rrëmbimit.
Ajo u la e lirë më 16 shkurt, pasi pagoi 50 mijë dollarë si garanci, për lirimin e saj të përkohshëm, deri në dhënien e vendimit të gjykatës ndaj saj.