Pronari italian i Call center kërcënon disa të rinj që të heqin denoncimin që kanë bërë kundër tij nëse duan të marrin rrogat.
“Fiks” solli me zë dhe figurë debatin mes pronarit të kompanisë dhe të rinjve që nuk kanë marrë rrogat.
Denoncimi i të rinjve ka ardhur pasi investitori italian ka refuzuar t’i paguaj djemt për punën e bërë.
Ai u thotë atyre që pagat do t’i marrin vetëm pasi të kenë tërhequr denoncimin
“Tërhiqni denoncimin, pastaj t’jua kaloj rrogën, kam bërë shumë për ju edhe me atë 10 mijë lekësh që ju kam dhënë. Unë e bëra hapin e parë , tani radhën e keni ju. Nëse nuk hiqni denoncimin është e kotë që flasim” shprehet ai.
Përveç bisedës me pronarin denoncuesit takuan edhe disa punonjës në kompani, të cilët pohojnë se muajin e fundit na i ka hedhur lekët në bankë. “Këtë muaj na i hodhi në bankë,një për një. I ka hyrë frika pas denoncimit” thotë një punonjëse, ndërsa një tjetër pohon se nuk e di nëse i paguhen siguracionet tani, por muajt e mëparshëm nuk i janë paguar. Në këtë call center punojnë rreth 150 punëtorë dhe sipas denoncuesve ata asnjëherë nuk janë siguruar.
Investitori italian nuk ka pranuar të japë përgjigje për këtë. Ai I tha gazetares se nuk është e mirëpritur.
“Dilni jashtë, nuk jeni të mirëpritur këtu, nuk më intereson t’ju përgjigjem” thotë ai. Ndërsa ekonomisti i kompanisë nuk përgjigjet fare.
Për të marrë një përgjigje zyrtare grupi i xhirimit të emisionit Fiks Fare shkon në Inspektoriatin e Punës Durrës, drejtoresha e këtij institucioni, Silvana Maksuti thotë se ky call center është inspektuar në shtator të vitit 2016.
“E kemi inspektuar në shtator të vitit 2016, duhet ta kishim inspektuar sërish në bazë të ligjit, por kemi numër të kufizuar inspektorësh ndaj nuk e kemi bërë. Ju falënderojmë ju që e ngritët këtë denoncim dhe ne do ngremë një grup pune menjëherë” ka thënë drejtoresha.(B.H/Shuplaka)