Pas videos së publikuar sot nga kryeministri Rama, ku kryetari i bashkisë së Kamzës, shihej duke kërcënuar banorët e Valiasit se nëse nuk heqin flamujt e PS-së dhe LSI-së nga shtëpitë, do ua shembnin, ka reaguar vetë Mziu.
Kryebashkiaku shkruan se fjala e tij është nxjerrë nga konteksti, pasi në të vërtetë po fliste për ndërtimet pa leje që mbrohen me flamujt e partive dhe për flamujt që vendosen nëpër shtëpi.
REAGIMI I MZIUT
Kërkoj ndjesë për keqkuptimet e krijuara me qëllim nga propaganda e Edi Ramës në lidhje me një deklaratë timen, të veçuar, të nxjerrë nga konteksti, e të interpretuar sipas oreksit politik dhe elektoral të qeverisë.
Në fjalën time në një takim me banorët e Valiasit unë u jam referuar ndërtimeve pa leje, në shkelje të hapur të ligjit, që kanë shpërthyer gjatë kësaj fushate elektorale, dhe si mburojë kanë flamujt e PS-së dhe të LSI-së, dhe kandidatët e tyre që i nxitin këto paligjshmëri duke kërkuar votën në këmbim.
Gjatë gjithë punës sime, jam krenar që kam mbrojtur dhe kam punuar e shërbyer, që ndërtimet e njerëzve të ardhur në Kamëz e në Paskuqan nga gjithë Shqipëria, pavarësisht nga bindjet e tyre politike, të legalizohen, të urbanizohen, të marrin shërbime dhe banesat e tyre të kenë vlerë.
Njeriu që shemb dhe prish, njihet fort mirë, ai është Edi Rama. (D.D/Shuplaka)