Një moment historik për Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë: për herë të parë, drejtimin e saj e merr një kryepeshkop shqiptar. Imzot Joan Pelushi është zgjedhur sot nga Sinodi i Shenjtë si Kryepeshkopi i ri i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, pas ndarjes nga jeta të Kryepeshkopit Anastas.
Zgjedhja e Imzot Joanit u shënua me rënien e kambanave në të gjitha kishat ortodokse, ndërsa në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë u mbajt një ceremoni për shpalljen e Imzot Joanit si Kryepeshkopin e ri. Pas shpalljes së emrit të tij, Kryepeshkopi i ri mbajti një fjalë të shkurtër, që u prit nga dhjetëra besimtarë të pranishëm me duartrokitje dhe thirrjet “i denjë”.
“Me përulësi, duke iu bindur vullnetit hyjnor, pranoj këtë shërbim të lartë dhe premtoj se do ta zbatoj me devotshmëri detyrën time. Do respektoj traditën e shenjtë dhe do përpiqem me forcë të mbroj të drejtat e Kishës. I vetëdijshëm për peshën e kësaj përgjegjësie, i lutem Krishtit të më japë ndriçim, forcë dhe urtësi për të përmbushur këtë mision. Me dorën time e nënshkruaj këtë zotim,” u shpreh Imzot Joani.
Ai përfundoi fjalimin e tij duke thënë: “Lutem që Perëndia ta mbrojë gjithmonë Kishën tonë.”
Zgjedhja e Kryepeshkopit të ri u bë pas një procesi të rregullt, sipas statutoreve të Kishës, ku anëtarët e Sinodit të Shenjtë – organi më i lartë drejtues i Kishës – votuan pas Liturgjisë Hyjnore. Besimtarët në të gjithë vendin u lutën që udhëheqësit shpirtërorë të kishin ndriçimin për të zgjedhur njeriun e duhur. Kjo ditë e rëndësishme përkoi edhe me Ditën e Dytë të Kreshmës.
Zgjedhja e Imzot Joanit vjen pas më shumë se 30 vitesh drejtimi nga Kryepeshkopi Anastas Janullatos, i cili ndërroi jetë më 25 janar në moshën 95-vjeçare në Athinë. Ai la pas një trashëgimi të madhe në ringritjen e Kishës pas periudhës së ateizmit. Në testamentin e tij, Kryepeshkopi Anastas kishte shprehur dëshirën që në krye të Kishës të zgjidhej një klerik shqiptar.
Ceremonia e fronëzimit të Kryepeshkopit të ri do të zhvillohet më 29 mars, ku pritet një kremtim madhështor dhe solemn, siç e kërkon tradita kishtare.
Imzot Joan Pelushi, ka lindur në Tiranë në 02.01.1956. Qysh në rininë e tij të hershme, në kohën më të egër të persekutimit fetar, u pagëzua fshehurazi nga prifti hero, më vonë peshkopi i Apollonisë, z. Kozma Qirio, duke u bërë pjesë e një grupi të vogël të kishës së nëndheshme.. Në vitet 1979-1990 punoi në Spitalin Psikiatrik të Tiranës, në pavionin e reabilitimit nëpërmjet terapisë okupacionale. Në vitin 1990 u largua nga Shqipëria për në USA ku kreu studimet në teologji në Universitetin “Holy Cross Greek Orthodox School of Theology” në Boston, USA, ku u diplomua me “High Distinction” në MTS (Master i Studimeve Teologjike) në vitin 1993. Qysh në vitin 1992, i nxitur nga dëshira për të dhënë një kontribut në rindërtimin e Kishës, ai kontaktoi Kryepeshkopin Anastas dhe i parashtroi vendimin e tij për tu kthyer në Shqipëri, në një kohë kur të gjithë donin të largoheshin nga vendi. Kjo dëshirë dhe ky vendim u prit më gëzim nga Kryepeshkopi, i cili e inkurajojë dhe e përgëzoi. Në Shtator të atij viti u kthye në Shqipëri dhe filloi të punonte si pedagog në Akademinë Teologjike të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Discussion about this post