Gjykata e Tiranës kërkoi ndihmën e policisë për të gjetur adresën e ish-ambasadorit shqiptar në Itali, përgjatë viteve 1984-1991, Luftar Malia dhe familjes së tij, sa kohë ata kanë qenë nën hetim për pastrim parash. Hetimi është pushuar, pasi sipas prokurorisë së Tiranës, vepra penale nuk ekziston.
Hetimi pesë vjeçar, që angazhoi edhe zyrën kombëtare të Interpolit, për të verifikuar transaksionet e një çifti napolitan, u mbyll pas sqarimit të burimit të dërgesave, që u dyshuan nga autoritetet shqiptare si pastrim parash.
Në dy raste, u konstatua se llogarinë e Angelo Frascino, ish-diplomati Malia, si person i autorizuar për të kryer veprime, tërheq shumën ‘cash’ prej 491 dollarësh dhe në rastin e dytë, në llogarinë e së bijës, një shtetas italian transferon 420 mijë euro, ku 75 përqind tërhiqet ‘cash’ ose u transferohen në llogari të tjera.
Por, hetimet provuan se çifti italian që ndërroi jetë në vitin 2007, kishte lënë testament për vajzën e ish-diplomatit duke i lënë trashëgimi një shtëpi në Napoli dhe që pas vdekjes së tyre ishte kthyer në mollë sherri e për këtë arsye ajo e kishte shitur.
Hetimet provuan se Interpoli i ktheu përgjigje prokurorisë, duke konfirmuar se Angelo Frascino, i denoncuar për evazion fiskal, në vitin 1983 në Itali, më pas nuk ishte dënuar nga drejtësia italiane. Gjatë hetimit në Shqipëri , ish-diplomati Malia, gjatë dëshmive këmbënguli se e njohu italianin gjatë detyrës mbasi e kishte shënuar emrin si mik i shqiptarëve dhe se madje kishte dashur t’i birësonte vajzën. Më pas, Malia sqaron dhe investimet e çiftit Italian, që bleu 10 mijë metra katrorë truall, që më pas e shitën.
Ish-diplomati shton në dëshminë, që TCH disponon se “Angelo Frascino kërkonte të jetonte në Shqipëri, pasi në Napoli nuk ndihej i sigurt, jo vetëm për shkak të moshës, por edhe ne vijimësi, për shkak të presioneve të mafias napolitane. Pas vdekjes së, tij unë nuk kam pasur më kontakt me të afërmit e tij”, shprehet Malia, në dëshminë që i bashkangjitet provave, ku hetimi mbyllet, pasi prokuroria nuk gjeti prova të pastrimit të parave.
Në të gjitha letërpërgjigjjet, e përcjella nga komisariatet e Tiranës, i thuhet gjykatës se në adresat që ka deklaruar vete ish-diplomati , nuk është bërë e mundur gjetja e tij. Gjykata e ka të pamundur të shqyrtoje kërkesën e pushimit të çështjes, sa kohë adresa e ish-diplomatit, gruas dhe vajzave të çiftit, nuk është gjetur ende.