U kapën me 30 kilogramë grogë, dy kushërinjtë arratisen pas vendimit të Gjykatës
Mbrëmjen e 22 tetorit u arrestuan dy kushërinj në Kamëz me 30 kilogramë hashash. Por ndryshe nga ç’ndodh zakonisht, ky lajm u mbajt i fshehtë duke mos u bërë publik.
Por kjo gjë ka sjellë arratisjen e tyre më 15 dhjetor.
Edmond dhe Gentjan Nezaj, përkatësisht 39 dhe 36 vjeç u kapën mbrëmjen e 22 Tetorit tek “Ura e Institutit” në Kamëz.
Ata po lëviznin me një automjet tip “Mercedes”, në bagazhin e të cilit u zbuluan 30.4 kilogramë hashash.
Më 25 tetor, gjyqtari Ilir Çeliku u caktoi masën e sigurisë “arrest me burg 30 ditor”, duke refuzuar kështu kërkesën e prokurorisë që kërkoi burg pa afat.
Ndërsa në përfundim të masës 30 ditore, me datë 24 nëntor, prokuroria kërkon që të vendoset masa arrest me burg pa afat dhe paraqiti prova të tjera të cilat faktonin më tej fajësinë e tyre.
Këtë radhë, gjyqtare u vendos Alma Brati e cila vendosi lirimin e menjëhershme dhe caktimin “arrest shtëpie” për Edmond dhe Gentjan Nezaj duke shpërfillur kështu kërkesat e prokurorisë.
Kështu organi i akuzës e ka ankimuar vendimin në Gjykatën e Apelit.
Ky institucion e konsideroi të pabazuar në ligj vendimin e Gjykatëses dhe më 15 dhjetor kërkoi rikthimin e dy kushërinjve në burg.
Por me të marrë vesh lajmin, Edmondi dhe Gentjani e thyen masën e sigurisë “arrest shtëpie” dhe u arratisën.
Port re ditë më pas Edmond Nezaj u arrestua sërish, këtë radhë në Peshkopi të Dibrës i cili po tentonte të kalonte kufirin në Maqedoni.
Me datën 18 dhjetor, falë bashkëpunimit të prokurorisë me policinë u bë i mundur arrestimi i shtetasit Edmond Nezaj, në Macellarë, në tentativë për të kaluar kufirin drejt Maqedonisë.
Ndërsa kushëriri Gentjan Nezaj është akoma në kërkim nga policia.
Ndaj dy kushërinjve rëndojnë akuzat për ‘’Prodhim dhe shitje të narkotikëve në bashkëpunim” dhe “largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
Përvec kësaj prokuroria ka kërkuar nisjen e një hetimi pasuror ndaj tyre, pasi dyshohet se kushërinjtë posedojnë pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme që nuk i justifikojnë me të ardhura të ligjshme.
Kjo histori u kthye në një telenofelë të vërtetë mbi institucionet e zbatimit të ligjit dhe “luftën” e tyre ndaj krimit. (D.D/Shuplaka)