Në një intervistë të dhënë në Fax News, gazetari i njohur sportiv Dritan Lundra komentoi ndeshjen e Shqipërisë kundër Serbisë, duke theksuar se përballja e fundit nuk ishte thjesht një ndeshje futbolli, por një sfidë me ngarkesë të madhe politike mes dy shteteve.
Lundra u shpreh se Shqipëria zhvilloi një performancë pozitive dhe dinjitoze, duke e konsideruar strategjinë e trajnerit Silvinjo si të kujdesshme dhe të saktë.
“Trajneri hyri në fushë për të mos humbur dhe arriti qëllimin. Në mbrojtje ishim të kujdesshëm për të mos pësuar, ndërsa në sulm sulmuam më shumë sesa Serbia, e cila pati vetëm dy raste reale,” – u shpreh ai.
Gazetari kritikoi edhe fryrjen e skandaleve përreth ndeshjes, duke thënë se “deklaratat e presidentit të Federatës Serbe të Futbollit tregojnë se mendje të sëmura ka gjithandej, në Serbi, Gjermani, Spanjë dhe këto skandalitete e kanë çuar ndeshjen përtej çdo norme morale.”
Lundra vlerësoi se ndeshja me Serbinë duhet të shihet si një mësim:
“Na mëson që serbët janë të ardhur në Ballkan. Historia nuk duhet përdorur për të manipuluar ndjenjat e tifozëve, por për t’u respektuar.”
Ndërsa foli për individualitetet në fushë, ai theksoi se nuk duhet “kryqëzuar” Rei Manaj për penalltinë e humbur.
“Nuk mund të godasësh një lojtar vetëm për një moment. Manaj ka dhënë gjithçka për skuadrën.”
Si lojtarët më surprizues të ndeshjes, Lundra veçoi Shehun dhe Hysajn, duke i vlerësuar për paraqitjen e tyre.
Në përfundim, ai komentoi edhe sfidën e ardhshme ndaj Letonisë:
“Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme. Duhet ta luajmë me profesionalizëm, pa ndikuar nga emocione të tjera. Besoj se Shqipëria do të fitojë dhe do të ecë përpara drejt suksesit ndërkombëtar.”