Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë vendimin për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahirin duke e dënuar me 5 vite burg. Ish-ministri nuk shkon në burg, por do të jetë për 3.4 vite në shërbim prove dhe përjashtohet nga të gjitha aktivitetet publike.
Gjykata vendosi rrëzimin e të treja akuzave nga ana e prokurorisë dhe e shpalli fajtor Tahirin vetëm për akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Prej orës 11:30 deri në 10: të darkës, përreth 10 orë në Dhomën e Këshillimit, treshja e gjyqtarëve që kanë në dorë çështjen Tahiri, kanë marrë vendimin për një nga gjyqet më të bujshme në historinë e politikë shqiptare.
Gjyqtarët që vendosën për ish-ministrin e Brendshëm janë Ardit Mustafai, Flora Hajredinaj dhe Irena Gjoka. Procesi u ndoq nga afër edhe nga përfaqësues të ambasadës amerikane.
Tahiri akuzohet për korrupsion të zyrtarëve të lartë, trafik të lëndëve narkotike dhe si pjesë e grupit të strukturuar kriminal. Prokuroria kërkoi 12 vite burg për Tahirin, 8 vite me gjykim të shkurtuar.
Edhe për ish-drejtorin e Policisë së Vlorës Jaeld Çela janë rrëzuar tri akuzat. Edhe ai është dënuar vetëm për shpërdorim detyre me 3.4 vite burg.
Gjyqtarët kanë rrëzuar akuzat për trafik të narkotikëve dhe bashkëpunim me grup të strukturuar kriminal, duke e dënuar vetëm për shpërdorim detyre pasi nuk ka vepruar për pengimin e lëndëve narkotike.
ÇFARË NDODHI NË SEANCËN QË ZGJATI 2 ORË E GJYSMË
Gjykata rrëzon provat e cituara nga Tahiri
Gazetari i Fax News Sokol Dema ka raportuar më herët se Gjykata ka kontestuar disa nga provat e përmendura në seancën e kaluar nga Saimir Tahiri. Më konkretisht emaili dërguar prokurorit Dritan Prençi, shkresat e dërguara në drejtim të ish Ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli dhe regjistri i hyrje daljeve në Ministrinë e Brendshme.
Sipas gjykatës, këto nuk janë pjesë e dosjes. Në referimin e Saimir Tahirit, ai shprehet se asnjërën prej tyre nuk e ka depozituar për provë, por e ka parë të arsyeshme që ti përmend pasi ato tregojnë për personalitetin e tij.
Çfarë deklaroi ish ministri në seancë
“Besoj se emaili i refereimit të veprës penale dërguar në prokurori nuk është administruar nga kjo e fundit. Unë nuk i kam kërkuar si prova, as shkresat që i kam dërguar për zonjën Kodheli nuk i kam kërkuar si prova.
Nuk e di nëse libri i hyrjeve dhe daljeve në ministri është apo jo në dosjen e prokurorisë. Unë kam prova që dihet botërisht dhe fizikisht. I kam cilësuar këto materiale pasi tregojnë personalitetin tim, me të cilin kam ushtruar detyrën”, është shprehur Tahiri.
Ndërkohë që avokati Maks Haxhia është shprehur se prokurori Dritan Prençi duhet të jepte dorëheqjen për shkak se nuk ka pranuar emailin e dërguar nga drejtuesi i policisë së Vlorës Jaeld Çela.
Pse Tahiri nuk mund të arrestohet
Një detaj interesant nga kjo seancë është dhe fakti se edhe nëqoftëse Gjykata jep dënim me burg, Saimir Tahiri nuk do të arrestohet deri në një vendim të formës së prerë që do të jepet nga ana e Gjykatës së Apelit.
Mbrojtja e Jaeld Çelës
Ndërkohë që më herët është shprehur dhe mbrojtja e Jaeld Çelës. Avokatët e tij janë shprehur se ai Çela ka qenë në detyrë vetëm në njërën prej datave të kontestuara të episodeve që dyshon prokuroria se ish-drejtuesi i policies ka qenë i përfshirë.
Sipas avokatit të Çelës, prokurorët nuk kanë kryer asnjë hetim. Prokuroria nuk ka kryer hetim nëse ka përfituar financiarisht.
Fjala e fundit e Saimir Tahirit përpara dhënies së vendimit
“Kam 2 vjet që jam nën hetim, unë ministri i brendshëm akuzohem se kam trafikuar drogë. Ska asnjë provë. E vetmja provë është se i kam shitur makinën vëllait të Moisi dhe Florjan Habilaj, që nuk është i përfshirë në asnjë akuzë kriminale. Edhe sikur të isha vëllai i Habilajve nuk kisha pse të jem fajtor se vëllezërit merren me drogë. Une kam qene në drekë në Dajt me Edi Ramën dhe qeverinë në 23 prill dhe jo me Habilajt. Ja ku janë titujt e gazetave që e kanë publikuar dhe në foto unë me Ramën. Për mua është jeta ime në këtë proces, për ju është vetëm një proces. Më kanë vënë edhe bomba gjatë punës time. Iki në burg vetë nëse më vërtetohen akuzat”.