Kryetari i Parlamentit të Polonisë, Szymon Holownia, deklaroi se “rajoni me në krye Shqipërinë është shumë i rëndësishëm në procesin e zgjerimit të BE-së”.
Në deklaratën e përbashkët për mediet me Kryetaren e Kuvendit, Elisa Spiropali nga Varshava, Poloni, Holownia tha se, “nuk ka zona gri në Europë dhe ne duhet të inkurajojmë vendet të cilat nuk janë ende në BE të na bashkohen, pasi, pas gjithë procesit të anëtarësimit sigurohemi që ndajmë të njëjtat vlera”.
Ai vlerësoi përpjekjet e Shqipërisë në procesin e integrimit me hapjen e grup kapitujve.
“Është një shenjë shumë e mirë që ju tashmë keni hapur grup kapitujt dhe jeni të gatshëm të hapni të gjithë grup kapitujt. Gjithashtu na vjen mirë që dëgjojmë për sundim të ligjit, fuqizimin e tij, luftën ndaj korrupsionit dhe marrjen e përgjegjësive të përbashkëta, kur bëhet fjalë për sigurinë e përbashkët në rajon që janë prioritetet tuaja dhe shpresoj që ju të jeni të suksesshëm”.
“Ne kemi nevojë për ju në BE dhe duam të evidentojmë që ky konsensus kombëtar që ju përmendët për anëtarësimin në BE do të mbizotëroj dhe ju do të vijoni këtë rrugëtim për t’u rikthyer në Europë”, u shpreh Holownia Gjatë fjalës së tij, Holownia vuri në dukje, mundësinë për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e turizmit.
“Ne jemi të hapur për të diskutuar dhe shkëmbyer pikëpamjet tona por edhe për të ftuar shqiptarët të vijnë e të vizitojnë Poloninë dhe jo vetëm polakët të vizitojnë Shqipërinë”. “Shpresoj që shkëmbimet turistike do të rriten, pasi ato po rriten nga viti në vit dhe njerëzit tanë do ta njohin njëri tjetrin më mirë”, tha ai.