Hotele, Motele, Restorante, Parkim Nënokësor dhe Dyqane, këto janë ato që parashikon në tri zgjidhjet studimi i fizibilitetit për projektin e ri të Terminalit në Tiranë. ”Shuplaka” publikoi detaje nga koncesioni që u hap dje i cili parashikohej mbi 15 milionë euro, kurse sot sjell detaje nga studimi dhe 3 projektet e sugjeruara për ndërtim në terminal.
Një kompani italiane, e quajtur ”ITALFERR Spa”, ka nënshkruar marrëveshjen me Bashkinë e Tiranës për të kryer studimin, i cili jep detaje rreth 3 opsioneve të mundshme të ndërtimit të terminalit, duke sugjeruar edhe zgjidhjen më të mirë sipas kompanisë.
Ky studim, ka detaje pafund rreth asaj që propozohet të përmbajë projekti. Hotele, Motele, Restorante, Parkim Nëntokësor dhe Dyqane, këto janë disa nga objektet që do të ndërtohen në terminalin 177 vendësh (autobusë ndërkombëtare 34, ndërqytetas 57, urbanë 12 dhe 25 furgonë taxi).
Projekti parashikon pozicionimin e komunikimit edhe me tramvajin, 7.2 kilometra që do e përshkojë distancën për 4 deri në 7 minuta, të cilit me sa duket Bashkia e Tiranës i është rikthyer.
Ndërtimi i terminalit do të bëhet në një truall 85 mijë metër katrorë në fshatin Mëzez, që me një vendim të Këshillit të Ministrave i ka kaluar Bashkisë së Tiranës, me numër parcele 68, në zonën e Kamzës.
”Italferr Spa”, i sugjeron bashkisë zgjidhjen e trete, e cila nuk parashikon me shumicë njësi të tjera, përveç dyqaneve por nuk dihet pse në dy zgjidhjet e tjera parashikon hotel, motel, restorant, parkim nëntokësor, me një diferencë të madhe kostosh mes njëra-tjetrës. Nuk dihet se çfarë propozimi konkret do të bëjnë kompanitë pjesëmarrëse, nëse do jenë afër zgjidhjeve me hotel, restorant, parkim nëntokësor apo jo.
Po cilat janë kostot e parashikuara për tri projektet e mundshme? Nga sa vihet re diferenca në miliona euro është e madhe. Zgjidhja e parë parashikohet të kushtojë mbi 62 milionë euro, e dyta mbi 42 milionë euro dhe e treta mbi 11 milionë euro.
FITIMET NGA TERMINALI
Të ardhurat nga parkimi parashikohen për Zgjidhjen 1 në 2020 mbi 7 milionë euro në vit, në vitin 2025 mbi 9 milionë euro dhe në vitin 2035 mbi 18 milionë euro në vit.
Pak a shumë edhe Zgjidhja 2 parashikohet me të ardhura të përafërta, kurse Zgjidhja 3 sjell fitime më të vogla. Në vitin 2020 mbi 3 milionë euro në vit, 2025 mbi 4 milionë euro dhe në vitin 2035 mbi 11 milionë euro në vit.
Lidhur me menaxhimin e dyqaneve, hotelit sipas zgjidhjeve, parashikohet dhënia me qira e tyre te operatori dhe ”franchising”.
”Në lidhje me zonën tregtare (zgjidhja 1), hapësirat tregtare do t’i jepen me qera operatorit tregtar: të ardhurat do të përfaqësohen nga tarifat e qirasë. Në lidhje me zonën e hotelit (zgjidhja 1), shërbimi i hotelit dhe aktivitetet e lidhura me të (bar, restorant etj) do të menaxhohen sipas një skeme franchising (autorizim për operim) (operatori do të paguajë një tarifë operimi për hoteleri, kostot e këtyre tarifave u përfshinë në shpenzimet e përgjithshme të hotelit).
Të ardhurat nga zonat tregtare dhe të hoteleve/moteleve u llogaritën mbi bazën e çmimeve të tregut lokal.”, thuhet në studim.
Të ardhurat nga dyqanet, hotelet dhe karburanti:
– të ardhurat për pjesën tregtare të zonës së parkimit do të fillojnë me një vlerë prej 0,88 milionë € në vit në fillim të periudhës së analizës (viti 2020) deri në një vlerë përfundimtare prej 1,06 milionë € në vit në fund (viti 2039)
– të ardhurat për pjesën e moteleve të zonës së parkimit (zgjidhja 1) janë rastësisht të ngjashme me ato të mëparshme dhe do të fillojnë me një vlerë prej 0,89 milionë € në vit në fillim të periudhës së analizës deri në një vlerë përfundimtare prej 1,07 milionë € në vit në fund (viti 2039)
– pika e karburantit do të japë gjithashtu një kontribut të vogël për të ardhurat e zonës së parkimit, kjo shumë u konsiderua fikse për të gjithë periudhën e analizës, dmth 0,08 milionë € në vit.
– të ardhurat për zonën tregtare plus pronat e patundshme (qeraja e zyrave) do të fillojnë me një vlerë prej 1,03 milionë € në vit në fillim të periudhës së analizës (viti 2017) deri në një vlerë përfundimtare prej 1,25 milionë € në vit në fund (viti 2039)
– të ardhurat për hotelin do të fillojnë me një vlerë prej 0,86 milionë € në vit në fillim të periudhës së analizës deri në një vlerë përfundimtare prej 1,04 milionë € në vit në fund (viti 2039)./ Valmora Gogo-SHUPLAKA
[ngg_images source=”galleries” container_ids=”575″ display_type=”photocrati-nextgen_basic_imagebrowser” ajax_pagination=”1″ order_by=”sortorder” order_direction=”ASC” returns=”included” maximum_entity_count=”500″]