Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha bëri të ditur se ndryshimet në ligjin “Për letërnjoftimin elektronik” synon krijimin e mundësisë për pajisjen me letërnjoftim digjital (e-letërnjoftim) për të gjithë shtetasit e pajisur me letërnjoftim elektronik.
Gjatë seancës së sotme në Kuvend, Hoxha tha se pajisja me letërnjoftim digjital (e-letërnjoftim) ka për qëllim përmirësimin dhe standardizimin e mënyrave të identifikimit të qytetarëve në ambientin digjital.
Ndryshimi i ligjit do të krijojë një bazë të ligjshme për pajisjen e shtetasve shqiptarë me letërnjoftim digjital, duke e lejuar këtë proces, në përputhje me standardet e kërkuara nga Bashkimi Evropian, që siguron një bazë të fortë ligjore për pajisjen me letërnjoftim digjital, duke ulur kostot, duke përshpejtuar zbatimin e duke garantuar përputhshmërinë me standardet ndërkombëtare.
“Ky hap do të lehtësojë në mënyrë graduale proceset ekonomike si brenda vendit, por edhe në ato ndërkufitare, duke dhënë pozitiv si për qytetarët, ashtu dhe për ekonominë e vendit,” u shpreh Hoxha.
Sipas tij, letërnjoftimi digjital do të luajë një rol kyç në luftën kundër krimit të organizuar dhe mashtrimeve në internet. “Duke përdorur teknologji të avancuar garantojmë nivel të lartë sigurie dhe mbrojtje të të dhënave personale,” tha ministri.
Fjala e plotë e ministrit Hoxha: Ministria e Brendshme ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm për ndryshimin e ligjit nr. 8952, datë 10.10.2002, “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë”, me qëllim krijimin e mundësisë për pajisjen e shtetasve shqiptarë me letërnjoftim digjital (e-ID).
Ky ndryshim nuk është thjesht një përmirësim teknik, por një transformim që do të ndikojë në jetën e përditshme të çdo qytetari.
Letërnjoftimi digjital do të jetë një mjet i fuqishëm për të lehtësuar shërbimet publike, për të rritur sigurinë në transaksionet online dhe për të përmirësuar efikasitetin e administratës shtetërore.
Projekti që propozojmë është në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare dhe veçanërisht me kërkesat e Bashkimit Evropian.
Ai synon të krijojë një sistem të integruar të identitetit digjital, i cili do të jetë i sigurt, i besueshëm dhe i përshtatshëm për të gjithë shtetasit shqiptarë.
Përveç lehtësimit të shërbimeve administrative, letërnjoftimi digjital do të luajë një rol kyç në luftën kundër krimit të organizuar dhe mashtrimeve në internet.
Duke përdorur teknologji të avancuar, garantojmë një nivel të lartë sigurie dhe mbrojtje të të dhënave personale, duke respektuar të drejtën e qytetarëve për privatësi dhe transparencë.
Projektligji është rezultat i një pune të gjerë bashkëpunimi midis institucioneve kyçe, duke përfshirë Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Financave, Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, dhe Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike.
Ky bashkëpunim garanton që projekti të jetë i qëndrueshëm dhe i përshtatshëm me nevojat e vendit.
Pajisja me letërnjoftim digjital do të sjellë përfitime të shumta, jo vetëm për qytetarët, por edhe për ekonominë dhe shoqërinë tonë. Ai do të kontribuojë në zhvillimin e tregut digjital, në rritjen e konkurrueshmërisë së Shqipërisë në arenën ndërkombëtare dhe në përshpejtimin e integrimit tonë me Bashkimin Evropian.
Ky projekt është strategjikisht i rëndësishëm dhe është pjesë e agjendës së Qeverisë për digjitalizimin dhe modernizimin e vendit.
Ai është përfshirë në Listën Unike të Projekteve me Rëndësi Kombëtare dhe është në përputhje me objektivat e Dokumentit të Politikave Prioritare 2025–2027.
Ne do të realizojmë këtë projekt në tre faza kryesore:
1.Projektimi dhe ndërtimi i infrastrukturës;
2.Zbatimi i një projekti pilot;
3.Implementimi i gjerë i identitetit digjital në të gjithë popullatën.
Ky proces pritet të zgjasë të paktën tre vjet, por përfitimet e tij do të jenë të dukshme që nga fazat e para.
Të nderuar deputetë,
ju ftoj të mbështesni këtë projektligj, i cili nuk është thjesht një ndryshim ligjor, por një hap i madh përpara për të ardhmen e Shqipërisë.
Kjo nismë nuk është vetëm për sot, por për gjeneratat e ardhshme që do të përfitojnë nga një shoqëri më të digjitalizuar, më të sigurt dhe më konkurruese.
Faleminderit për vëmendjen dhe ju ftoj ta mbështesni me votë këtë projekt me rëndësi.